Kjo është 19-vjeçarja nga Gjilani që sulmoi policin, kërkohej për aksidentin ku e goditi veturën e Policisë
Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.
Një ngjarje e tillë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Gjilan, ku një 19-vjeçare e ka sulmuar një zyrtar policor gjatë arrestimit të saj.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se e dyshuara është L.Redenica, e cila ishte në kërkim për një aksident trafiku që e kishte shkaktuar, duke e goditur një veturë zyrtare të Policisë.
Redenica kishte ikur nga vendi i ngjarjes pas aksidentit dhe si rezultat, Policia po e kërkonte, me ç’rast kanë arritur ta kapin.
Por, siç thonë burimet e Sinjalit, gjatë prangosjes, e dyshuara ka kundërshtuar urdhrat e policisë dhe ka sulmuar fizikisht një zyrtar policor, duke e goditur në fytyrë.
Pas arrestimit, është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Ndaj saj, me urdhër të prokurorit, është iniciuar rasti për veprën “Sulm ndaj personit zyrtar”.