Kishin plan të qëndronin 3 ditë, si iu pamundësua qëndrimi më i gjatë në Hagë prindërve të Hashim Thaçit?
Pas gati 2 vjetësh si i arrestuar nga Gjykata Speciale, ish-presidentit Hashim Thaçi i erdhën për vizitë prindërit e tij të shtyrë në moshë.
Takimi i Haxhi e Hyrë Thaçi me të birin zgjati disa orë, vizitë e cila përfundoi brenda një dite. Por, ata do të kishin dashur që të rrinin më gjatë, një qëndrim që iu pamundësua për shkak të vizës.
Pavarësisht se Gjykata Speciale ua kishte dhënë lejen për një vizitë tri-ditore në Qendrën e Paraburgimit, prindërit e Thaçit e kishin të pamundur ta realizonin atë. Kjo pasi viza që e kishin marrë në Ambasadën e Zvicrës iu ishte lëshuar vetëm për tri ditë.
Gazeta Nacionale ka mësuar nga burime të afërta me familjen Thaçi se plani kishte qenë që prindërit e Thaçit të takoheshin për tri ditë radhazi me të birin e tyre. Për këtë, lejen ua kishte dhënë edhe Gjykata Speciale. Mirëpo, problemi doli te pajisja me vizë.
Gazeta ka mësuar se prindërit e Thaçit ditën e parë të vizitës në Qendrën e Paraburgimit e kanë pasur në ditën e premte. Si rezultat ata është dashur të udhëtojnë drejt Hagës, të enjten në mbrëmje. Për pasojë, prindërit e ish-presidentit të Kosovës e kanë pasur të pamundur që të qëndrojnë më gjatë në Hagë, shkaku i vizës.
“Prindërit e Thaçit e kanë pasur lejen për vizitë në Gjykatën Speciale për tri ditë. Megjithatë, qëndrimi i tyre në Qendrën e Paraburgimit ka qenë diku 7 orë. Ata kanë shkuar një natë përpara në Hagë. Pra të enjten në mbrëmje, në mënyrë që të premten të shkojnë në Qendrën e Paraburgimit. Në këtë formë, dy ditë qëndrim vetëm kanë kaluar. E kanë pasur të pamundur me shfrytëzu lejen tri-ditore nga Gjykata Speciale,” ka thënë për Nacionalen një burim i afërt me zhvillimet.
Nacionale ka mësuar se familjarët e personave që po akuzohen nga Gjykata Speciale, vizat për udhëtim drejt Hagës, shumica prej tyre i kanë marrë në Ambasadën e Zvicrës. Njëjtë ishte rasti edhe me Haxhi e Hyrë Thaçin. Për pasojë, atyre vizat iu lëshuan për vetëm tri ditë, duke ua pamundësuar qëndrimin më të gjatë në Hagë.
Se viza iu është dhënë vetëm për tri ditë prindërve të Thaçit, e ka konfirmuar edhe ish-këshilltari Ismajl Syla. Madje, ky i fundit e ka quajtuar poshtërsi faktin që qytetarëve të Kosovës, u dalin këso problem.
“Ia kanë jep vizën veç për tri ditë, edhe kjo është një padrejtësi që iu bëhet qytetarëve të Kosovës me procedura burokratike, si në rastin e prindërve të Thaçit ku viza atyre iu dha vetëm për tri ditë. Këtu ndikon edhe mos-liberalizimi i vizave”, ka thënë Syla.
Familjarët aplikojnë në ambasadën e Zvicrës
Gazeta Nacionale ka kontaktuar edhe me disa familjarë të tjerë të personave që aktualisht, po mbahen të arrestuar nga Gjykata Speciale. Shumica prej tyre e kanë konfirmuar se aplikimet për vizë, bëhen në Ambasadën e Zvicrës. Në kushte anonimiteti, ata kanë thënë se nuk e kanë ditur asnjëherë pse ka ndodhur një gjë e tillë.
“Familjarët tanë kanë aplikuar në Ambasadën e Zvicrës, ajo që është tek Mahalla e Muhaxherëve. Nuk e kemi ditur ndonjëherë pse”, ka thënë për Nacionalen një familjar, i njërit prej të arrestuarve nga Gjykata Speciale.
E një familjar tjetër, ka konfirmuar se vizat zakonisht iu lëshohen për shumë pak ditë, duke ua pamundësuar vizitat më të gjata në Hagë.
“Vizat zakonisht lëshohen për 1 ditë, 2 apo më së shumti tri. Kemi kërkuar edhe nga Ministria jonë që të bëjnë ndonjë marrëveshje që këto viza të jepen për kohë më të gjatë, por deri mët ash nuk ka pasur diçka”, ka konfirmuar një tjetër burim për Nacionalen.
Deri vonë, familjarët nuk kanë pasur mundësi të shkojnë në Hagë për vizitë, si pasojë e masave anti-covid në Holandë.
Çfarë thotë Ministria e Jashtme e Holandës?
Gazeta ditë më parë ka raportuar për problemet që po kanë prindërit e të akuzuarve për vizita në Hagë. Kjo pavarësisht se ka ekzistuar një marrëveshje lehtësuese ndërmjet Kosovës dhe Holandës.
Ministria e Jashtme e Holandës kishte konfirmuar se lehtësirat nuk vlejnë për prindërit e të akuzuarve.
“Ne mund t’iu sigurojmë se Holanda ende lehtëson vizitat familjare (d.m.th. për bashkëshortët dhe fëmijët) tek të paraburgosurit në përputhje me detyrimet e saj sipas Marrëveshjes së Shtetit Pritës ndërmjet Mbretërisë së Holandës dhe Republikës së Kosovës në lidhje me Mikpritjen e Institucionit Gjyqësor Special të Kosovës të zhvendosur në Holanda”, thuhet në përgjigje.
Megjithatë, Ministria e Jashtme e Holandës thotë se aplikimet për viza të vizitorëve të tjerë, trajtohen me procedura të rregullta sikur të gjithë qytetarët.
Të gjithë anëtarët e tjerë të familjes së të paraburgosurit janë gjithashtu të lirë të vizitojnë anëtarët e familjes së tyre të ndaluar, por ata nuk kualifikohen për vizë të lehtësuar nga shteti pritës. Aplikimet e tyre për viza trajtohen përmes kanaleve të rregullta. Kjo politikë zbatohet për të gjitha Gjykatat dhe Tribunalet për të cilat Holanda është shteti pritës”, bëhet e ditur në përgjigjen e Ministrisë së Jashtme të Holandës.
Edhe Gjykata Speciale ka thënë se lehtësimi në pajisje me viza, do të vazhdojë. Në një përgjigje për Nacionalen, Specialja ka bërë të ditur se lehtësimet për viza janë për disa prej anëtarëve. Pa specifikuar për cilët.
“Dhomat e Specializuara lehtësojnë procesin e vizave për anëtarët e caktuar të familjeve të të paraburgosurve që dëshirojnë të vizitojnë në përputhje me udhëzimet për vizita në Qendrën e Paraburgimit. Lehtësimi i procesit të vizave mbetet në fuqi”, thuhet në përgjigje për Nacionalen.
Çfarë thonë marrëveshjet Kosovë – Holandë?
Ndërmjet Holandës dhe Kosovës ekziston një marrëveshje e arritur pas themelimit të Dhomave të Specializuara, që u vendos të caktohen në Hagë. Në mesin e shumë pikave, aty flitet edhe për çështjen e vizave për familjarët të cilët do të bëjnë vizita në Qendrën e Paraburgimit.