“Ki me ma pa sherrin”/ Mitrovicasi kërcënon një person që aplikoi në AKP për një objekt
Telashet pronësore vazhdojnë të jenë të pranishme në të gjitha qytetet e vendit. Për shkak të tyre shumë persona përfshihen në ngatërresa mes vete të cilat eskalojnë në sharje, kërcënime, përleshje fizike e shpesh herë kanë përfunduar edhe tragjikisht.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në rrugën ‘Dëshmorët e Kombit’ në Shipol të Mitrovicës, ku një person dyshohet se ka kërcënuar një 68-vjeçar.
Sinjali mëson se gjithçka ka ndodhur për pronësinë e një objekti, për të cilin viktima ka aplikuar në Agjensionin Kosovar të Privatizimit.
Sipas 68-vjeçarit, i dyshuari e ka kërcënuar përmes telefonit duke i thënë se do t’ia sheh sherrin dhe do të japë llogari për aplikimin e tij në AKP. Kjo pasi që sipas të dyshuarit, objekti në fjalë është i tij.
Njësitet policore janë vënë menjëherë në lëvizje, me ç’rast kanë arrestuar të dyshuarin i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘Kanosje’.