KFOR publikon një video me ushtarë duke patrulluar rrotull Urës së Ibrit

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, sot ka publikuar një video nga Ura e Ibrit në Mitrovicë për të treguar se në atë zonë po patrullojnë.

Në këtë video, KFOR shkruan për njësitë K9 që janë ekipe speciale me qen të trajnuar të cilët mund të detektojnë eksplozivët dhe të sinjalizojnë ushtarët, raporton Express.

“Njësitë K9 janë ekipe speciale me qen shumë të trajnuar. Ata rregullisht kryejnë inspektime për të mbajtur sigurinë dhe qetësinë. Ata mund të detektojnë eksplozivët si ato sipërfaqësore si ato nëntokësore. Kur një qen zbulon një eksploziv ai ulet dhe sinjalizon stërvitësin e tij. Lidhja mes qenit dhe pronarit të tij është esenciale për suksesin e ekipit”, thuhet në përshkrimin e videos.

KFOR tha deklaratën e zakonshme se vazhdon “të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”.

Ky mesazh nga KFOR vjen pas deklaratëve të kryeministrit Albin Kurti dje se Qeveria e tij synon hapjen e Urës së Ibrit, duke thënë se ky veprim nuk është kundër askujt.

“Askush nuk mund të thotë që kjo nuk është një gjë e mirë dhe e drejtë, por ne dëshirojmë që edhe të zbatohet ligji, edhe të respektohet liria e lëvizjes, por edhe të kemi paqe e siguri për të gjithë”, tha dje Kurti në një konferencë për media.

Deklarata e tij në këtë konferencë erdhi pas një takimi që pati me ambasadorët e shteteve të QUINT-it pikërisht për këtë temë.

“Në kuadër të informimit dhe koordinimit me partnerët tanë ndërkombëtarë, temë trajtimi në këtë takim ishte gjithashtu rëndësia e bashkërendimit të veprimeve institucionale për hapjen e urës mbi lumin Ibër edhe për vetura, në mënyrë që të mundësohet liria e plotë e lëvizjes e cila i ndihmon qytetarët në të dy anët e urës, pa dallim, dhe në të njëjtën kohë i shërben zhvillimit të ekonomisë dhe tregut përmes lëvizjes më të lehtë të mallrave dhe kapitalit”, kishte njoftuar ZKM pas këtij takimi.

Lexo edhe:  Djali i Kolë Berishës konfirmon se babai i tij u burgos dhe torturua nga njeriu i afërt i ministres Albulena Haxhiu

Ndërkaq, KFOR, që vazhdimisht është prezent në Urën e Ibrit, kishte dhënë qëndrimin e tij mbi këtë synim të Qeverisë së Kosovës se çdo vendim lidhur me urën të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Karabinierët italianë të KFOR-it kanë prani të përhershme mbi urën e Ibrit dhe kryejnë patrullime në rrethinë. Ura vëzhgohet edhe prej pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Kjo temë u hap pasi fillimisht u diskutua në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, e cila udhëhiqet nga Erden Atiq i Lëvizjes Vetëvendosje,  që ura të hapet tërësisht për qarkullim.

Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, pati thënë se zbatimi i vendimit për çështjen e urës u takon autoriteteve qendrore dhe institucioneve të sigurisë.

https://twitter.com/NATO_KFOR/status/1814223196817682701?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1814223196817682701%7Ctwgr%5Ed499eda0404a1a82d82c76f02079db8b80c34ed9%7Ctwcon%5Es1_c10&ref_url=https%3A%2F%2Fgazeta10.com%2Fkfor-publikon-nje-video-me-ushtare-duke-patrulluar-rrotull-ures-se-ibrit%2F