KFOR-i amerikan qëndroi në gjendje gatishmërie në Jarinje teksa serbët po protestonin në territorin serb
Mbi dhjetë mjete ushtarake të KFOR-it kanë arritur në pikën kufitare në Jarinje mëngjesin e sotëm.
Në këtë pikë nisën një izolim me tela gjemborë.
Krejt kjo për shkaqe sigurie, pasi aty u mblodhën një grup i serbëve për të protestuar.
Gjatë protestës pati edhe përplasje në mes të protestuesve dhe policëve serbë por në fund protestuesit u tërhoqën.
Gjatë krejt kësaj kohe, KFOR-i kishte qëndruar në afërsi të pikës kufitare.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë ka konfirmuar se ka shtuar prezencën në pikën kufitare në Jarinje, shkaku i protestës që u mbajt në pjesën e territorit serb.
KFOR-i në një përgjigje për Klankosova theksoi se kjo u bë për shkak të ekzistimit të rrezikut potencial për “grupe kriminale” brenda protestuesve.