Këta janë tre të dyshuarit që e rrahën brutalisht 19-vjeçarin në Podujevë

Pas disa ditësh në arrati, Policia e Kosovës ka arritur t’i arrestojë tre personat e dyshuar për rrahjen brutale që ka ndodhur në Shtedim të Podujevës, më 6 dhjetor, ku mbeti i lënduar rëndë një 19-vjeçar. Të dyshuarit përfunduan nën masën e ndalimit policor dhe ndaj tyre kanë nisur hetimet.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Arianit Manin, Aulon Sadiun dhe Luan Halimin, që dyshohen se e kishin sulmuar me mjete të forta viktimën, për motive akoma të panjohura.

Pasi Policia është vënë në lëvizje për hetimin e rastit, të dyshuarit janë identifikuar dhe më pas janë prangosur, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.

Lajmin për arrestimin e tyre e ka konfirmuar edhe Policia, me ç’rast është bërë e ditur se të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

“Njësia policore arrit të identifikoj dhe të arrestoj tre të dyshuar meshkuj kosovar, pasi që ditë më parë, kishin sulmuar me mjete të forta viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKUK. Me vendim të prokurorit, tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndryshe, 19-vjeçari që u sulmua në kokë, pësoi frakturë, për çka u trajtua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, por ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Java nisë me diell, ndërsa nga mesjava ulje e temperaturave