Këta janë tre të arrestuarit për grabitjen e armatosur në pompën “Shell”, Policia ua bastis shtëpitë

Gazeta Sinjali raportoi sot për arrestimin e të dyshuarve për grabitjen e armatosur në pompën e derivateve “Shell” në rrugën “Xheladin Hana” në Prishtinë, ku tre persona, njëri prej të cilëve i mitur, nën kërcënimin e armës kanë grabitur 300 euro.

Ata u kapën pas një muaji në arrati dhe tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor.

Kush janë të dyshuarit që u kapën gjatë aksionit të djeshëm të Policisë, ku pati edhe bastisje?

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se tre të dyshuarit që u identifikuan dhe më pas u kapën janë Astrit Bajraliu, Altin Kryeziu, ndërsa i dyshuari i tretë është i moshës së mitur, F.K. Të njëjtit po dyshohen se më 23 dhjetor të vitit të kaluar, kanë kryer grabitje në këtë pompë, ku nën kërcënimin e armës arritën t’i merrnin 300 euro para të gatshme dhe më pas u zhdukën, deri dje kur Policia i arrestoi.

Gjatë aksionit për kapjen e tyre, Policia ka kryer edhe bastisje, me urdhëresë të lëshuar nga Gjykata, me ç’rast janë sekuestruar prova që do të shfrytëzohen si dëshmi në procedurë.

Ndaj tyre është lëshuar urdhër për ndalim policor, teksa brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do të ndërmarrë edhe veprimet e tjera hetimore.

Kujtojmë se pompat e derivateve jo rrallëherë janë cak i hajnave, dukuri kjo që po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese

Lexo edhe:  Bora i afrohet Kosovës, nis të bjerë në Shqipëri