Këta janë të dyshuarit që shkëmbyen zjarr mbrëmë në Prishtinë – edhe ‘Canki’ në mesin e tyre

Incidenti me të shtëna me armë zjarri mes dy grupeve mbrëmë në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë, përfundoi me një person të plagosur. I dyshuari, Veton Gashi, i njohur si ‘Canki’ u qëllua dy herë nga grupi tjetër, teksa akoma nuk dihet motivi i tentim vrasjes. Gashi dhe një person tjetër janë arrestuar si të dyshuar për rastin, teksa dy të dyshuarit e tjerë ndodhen akoma në arrati.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se përveç ‘Cankit’, personat e tjerë që dyshohen lidhur me këtë rast janë Lirigzon Sejdiu (i arrestuar) dhe Trim Krasniqi e Zan Zeka – që ndodhen në arrati.

Gashi e Sejdiu në njërën anë dhe Krasniqi e Zeka në anën tjetër dyshohet se kanë shkëmbyer zjarr, duke shkrepur armët mbi 10 herë.

I plagosuri është dërguar fillimisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare për trajtim mjekësor, e më pas është transferuar në QKUK, ndërsa miku i tij Sejdiu është shoqëruar në stacion policor.

Kurse dy të dyshuarit që ende nuk janë kapur nga Policia janë larguar nga vendi i ngjarjes me automjetin e tyre, të cilin e kanë braktisur rrugës për t’ia mbathur në këmbë.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gëzhojat dhe disa fishekë – teksa Polica s’ka arritur t’i gjejë armët e përdorura nga të dyshuarit.

Ndryshe, i plagosuri ‘Canki‘ është emër i njohur për organet e rendit, si pasojë e të kaluarës së tij kriminale.

Lexo edhe:  Tentohet t’i vihet zjarri ëmbëltores në Veri ku Sveçla e Agim Bahtiri shkuan për limonadë