Këta janë të dyshuarit për rrahjen brutale në Sibovc të Obiliqit, shkak kullotja e bagëtive

Katër persona janë lënduar si pasojë e një rrahje brutale që ka ndodhur mbrëmë në fshatin Sibovc të Obiliqit. Të dyshuarit që pësuan lëndime kanë marrë trajtim mjekësor dhe më pas dy prej tyre kanë përfunduar në ndalim policor. Sinjali ka mësuar se kush janë të dyshuarit dhe cili është motivi që i shtyri të futen në sherr.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Vedat dhe Esat Gashi, (vëllezër), të cilët janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe dy të dyshuarit e tjerë Naim dhe Ymer Sadiku (babë e bir).

Sinjali mëson se konflikti mes dy palëve kishte nisur për shkak të kullotjes së bagëtive në një pronë publike, që dyshohet se u bë mollë sherri që debati verbal të eskalojë në dhunë fizike.

Dy të dyshuarit e parë janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre, ndërsa të dyshuarit e tjerë, babë e bir, janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare për trajtim mjekësor.

Sipas informacioneve që ka Sinjali, i dyshuari Naim Sadiku ka pësuar lëndime të rënda gjatë përleshjes, ku dyshohet se u përdor edhe një gyp plastike.

Hetimet për këtë rast kanë nisur në drejtim të veprave penale “Sulmi” dhe “Lëndim i rëndë trupor”, teksa veprimet tjera do të merren brenda afatit ligjor.

Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

“Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ka nisë një hetim lidhur me rastin, i cili nga prokurori është cilësuar si lëndim i rëndë trupor.

Bazuar në hetimet fillestare, gjatë përleshjes katër persona kanë pësuar lëndime trupore.

Personave të lënduar u është ofruar trajtim i nevojshëm mjekësor, ndërkohë që lidhur me rastin policia ka intervistuar tre persona të dyshuar për pjesëmarrje në rrahje, dy prej të cilëve pas intervistimit, me vendim të prokurorit të shtetit janë dërguar në mbajtje.”

Lexo edhe:  Policia e Kosovës pranon policë të rinj në Veri, në mesin e tyre 45 serbë

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.