Këta janë të arrestuarit në aksionin e Krimeve Kibernetike, dyshohen për keqpërdorim të kartelave

Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ka zhvilluar të enjten një aksion policor në tri lokacione në Prishtinë, që rezultoi me arrestimin e tre personave të dyshuar për veprimtari të kundërligjshme, saktësisht keqpërdorimin e kartelave bankare.

Të dyshuarit ndodhen në ndalim, ndërsa tashmë janë zbuluar emrat e tyre.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personat që përfunduan në prangat e Policisë janë Sulejman Elmazi, Sulejman Ozen dhe Ali Sahan.

Tre të dyshuarit, njëri shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe dy shtetas turk, dyshohet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kanë keqpërdorur kartela bankare të shtetasve të huaj dhe POS terminale të bankave vendore.

Ata po dyshohen se kanë kryer veprën penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”.

Gjatë operacionit të zhvilluar nga Policia, në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar: POS terminale; Kartela bankare; Kartelë bankare e modifikuar; Para të gatshme; SIM kartela; Vula me mbishkrime të bizneseve; Kompjuter; Telefona mobil; dokumente relevante (fatura, kupona fiskal, etj.) që ndërlidhen me veprën penale.

Me vendim të prokurorit, tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe brenda afatit ligjor do të ndërmerren veprimet e nevojshme.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, e jep apo e vë në qarkullim çekun për të cilin e di se nuk ka mbulesë të mjeteve, çekun e rremë ose kartelën e falsifikuar të kredisë dhe në këtë mënyrë realizon dobi pasurore, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre 3 vjet.

Lexo edhe:  Mbi 2 mijë patentë shofer të konfiskuar për tre muaj: Mbi 5 mijë shoferëve u janë vendosur pikët negative

Ndërsa kushdo që e përdor kartelën e kreditit apo çekun pa autorizim ose e përdor kartelën e bankës në automatin e bankës për tërheqjen e parave të gatshme duke e ditur se tërheqja e tillë nuk është e mbuluar nga bilanci i llogarisë apo nga overdrafti ose kushdo që përdor kartelën e kreditit ndonëse e di se në kohën e pagesës nuk do të jetë në gjendje të paguajë shumën përkatëse dhe kështu realizon dobi pasurore, dënohet po ashtu me gjobë dhe me burgim deri në tre 3 vjet.

Në rast se kjo vepër penal rezulton në dobi pasurore që tejkalon shumën prej pesëmijë (5.000) Euro, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në (5) pesë vjet