Këta janë gjashtë të arrestuarit që u rrahën me shufër metalike e skalper në Prishtinë

Gjashtë persona janë përfshirë në një rrahje të shtunën në rrugën “Rugova” në Prishtinë, te parkingu i një servisi të automjeteve, për motive ende të panjohura. Gjatë përleshjes të dyshuarit përdoren edhe shufër metalike e skalper dhe për pasojë i shkaktuan njëri-tjetri lëndime trupore. Të njëjtit tashmë janë në duart e Policisë, ndërkohë që Sinjali ka mësuar identitetin e tyre.

Burimet e Gazetës Sinjali nga Prokuroria bëjnë me dije se bëhet fjalë për Sabri Krasniqi, Alban Sekiraqa, Blerim Bajrami, Arif Krasniqi, Burim Bajrami dhe Gazmend Krasniqi, të cilët tashëm janë arrestuar.

Konflikti verbal mes tyre ka eskaluar në sulm gjatë ditës së djeshme dhe si pasojë e lëndime, ata janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare për trajtim mjekësor, e më pas janë shoqëruar në Polici.

Të dyshuarit që i zuri sherri kanë dhënë deklarata e tyre para hetuesve policorë dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Mjetet e përdorura gjatë përleshjes që janë gjetur në vendin e ngjarjes nga Policia, janë konfiskuar si dëshmi për rastin.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Gjendet i vdekur në rrethana të dyshimta ushtari i KFOR-it në Kosovë