Këta janë dy personat që i rrahën policët në Dragash pas një aksidenti në trafik

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës, gjatë kryerjes së detyrave zyrtare. Kështu ka ndodhur edhe dje në fshatin Restelicë në Dragash, raporton Gazeta Sinjali.

Zyrtarët policorë që po intervenonin në një aksident trafiku janë sulmuar nga dy persona.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se të dyshuarit që përfunduan në pranga të Policisë për këtë rast janë Salmin Muska dhe Senad Muska.

Dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar lidhur me rastin – teksa janë siguruara edhe pamje nga incidenti.

Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prizren, me ç’rast u bë e ditur se policët e lënduar kanë marrë trajtim mjekësor.

“Patrulla e Policisë, derisa ka qenë duke punuar në një aksident trafiku në rrugën e lartcekur, është sulmuar nga dy të dyshuar meshkuj.

Zyrtarët policorë kanë pranuar tretman mjekësor. Lidhur me rastin janë arrestuar të dyshuarit dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit kujdestar të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit policorë për 48 orë.”

Lexo edhe:  Kryeministri Kurti i takoi tre policët që ishin kidnapuar nga Serbia