Këta janë dy burrat e familjes Gashi që dyshohen se sulmuan seksualisht një 21-vjeçare në Prishtinë
02 Press dje ka raportuar për një rast të sulmit seksual që dyshohet se ka ndodhur të dielën në Prishtinë, e ku viktimë është një vajzë 21-vjeçare. Dy persona dyshohet se e kanë futur atë me forcë brenda veturës dhe e kanë sulmuar seksualisht.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se dy të dyshuarit janë paraqitur sot në stacion policor. Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për Besir Gashi 36-vjeçar dhe Avdi Gashi 32-vjeçar.
Që të dy pas intervistimit nga hetuesit policorë, me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm seksual’.
Kujtojmë se 21-vjeçarja kishte rrëfyer gjithë ngjarjen në Polici, ku kishte deklaruar se të dyshuarit i kanë kërkuar që të kryej edhe marrëdhënie seksuale, duke tentuar ta ledhatojnë në pjesët intime. Sipas saj, gjithçka mbaroi kur pas disa tentativave, para se të ndodhte diçka më e keqe, ajo arriti të largohej nga vetura e të dyshuarve.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.