Kërkuan para në emër të Veton Elshanit, reagon Zv. Komandanti: Mos bini pre e mashtrimeve

Zv. Komandanti i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Veri, Veton Elshani, ka bërë sot një njoftim zyrtar lidhur me një rast mashtrimi të raportuar në stacionin policor “Jugu” në Mitrovicë.

Sipas njoftimit, dy qytetarë nga Mitrovica kanë paraqitur ankesë duke deklaruar se janë kontaktuar përmes aplikacionit Viber nga një person që është prezantuar si Veton Elshani.

I dyshuari u kishte kërkuar një shumë prej 1000 euro, me arsyetimin se kishte një fëmijë të sëmurë dhe i duheshin paratë për shërim.

Njëri nga qytetarët, të dy biznesmenë, është mashtruar dhe ka dërguar shumën përmes shërbimit MoneyGram, në një llogari me numrin 17437638, me destinacion Bosnjë dhe Hercegovinë.

I dyshuari kishte përdorur këta dy numra telefonikë për të kontaktuar viktimat përmes Viber-it: +387 67 148 2137, +387 61 880 493.

Policia ka intervistuar palët e përfshira, ndërsa Njësia e Hetimeve ka nisur punën për zbardhjen e plotë të rastit.

Zyrtari policor Veton Elshani ka theksuar se njoftimi është lëshuar me qëllim informimi dhe parandalimi të mashtrimeve të ngjashme, pasi dyshohet se persona të njëjtë mund të jenë duke u paraqitur edhe te qytetarë të tjerë, përfshirë në veri të Kosovës.

Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e mashtrimeve përmes rrjeteve sociale dhe aplikacioneve të komunikimit. Çdo rast i dyshimtë duhet të raportohet menjëherë në organet e rendit.

Lexo edhe:  Ndahet nga jeta një pjesëtar i Policisë së Kosovës, Sindikata ngushëllon familjen dhe kolegët