Kërkohet paraburgim për zyrtarin e arrestuar ferizajas që regjistroi shtetasin turk pa i plotësuar kriteret
Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Ferizaj, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore për një periudhë kohore, njofton se ka arritur të sigurojë dëshmi se i dyshuari mashkull kosovar (ish zyrtar i gjendjes civile në Ferizaj, tani me pozitë tjetër) derisa ishte zyrtar i gjendjes civile deri në vitin 2019, si ofiqar, dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Gazeta Sinjali mëson se i dyshuari është Besim Xhakli, i cili sipas policisë, “dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke regjistruar një shtetas të huaj (turk) në sistemin elektronik të gjendjes civile në komunën e Ferizajt, teksa i njëjti nuk i kishte plotësuar kriteret e fitimit të shtetësisë”.
Ndaj të njëjtit, Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh.
“Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se gjatë muajit Mars të vitit 2019 në Ferizaj, si person zyrtar, konkretisht zyrtar i Lartë në Zyrën e Gjendjes Civile në Ferizaj, ka keqpërdorur detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit për personin tjetër, në atë mënyrë që në kundërshtim me nenin 31 të Ligjit për Gjendjen Civile numër 04/L-003, personin M.K., shtetas turk, e ka regjistruar në sistemin elektronik të Gjendjes Civile në Komunë e Ferizajt, duke i mundësuar që të pajiset me letërnjoftim të Republikës së Kosovës dhe patentë shofer, me këtë do të ketë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar ” nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.
Xhakli tash mban pozitën e inspektorit komunal, ndërsa veprën dyshohet se e ka kryer derisa ishte zyrtar i gjendjes civile në Ferizaj.
Policia tutje njofton se i dyshuari Xhakli ia ka mundësuar shtetasit turk që të pajiset me letërnjoftim të Republikës së Kosovës dhe pastaj edhe me patentë shofer.
“Me datë 23.04.2024, është siguruar prezenca e të dyshuarit të lartcekur për intervistë në prezencë të avokatit mbrojtës, ku pas intervistës me aktvendim të prokurorit, i njëjti është ndaluar për 48 orë.
Ndërsa personi i dyshuar mashkull turk që dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” tani është i ekstraduar në Turqi”, thuhet në njoftim.