Kërkohet paraburgim ndaj 22-vjeçarit që goditi për vdekje dy këmbësorë në Pejë

Dita e shtunë ishte e kobshme për familjen Shala në Pejë. Në aksidentin me fatalitet që ndodhi në fshatin Ozdrim, mbetën të vdekur dy këmbësorë, anëtarë të familjes Shala, ndërkaq një person tjetër, nga e njëjta familje është lënduar rëndë. Fadil dhe Avdi Shala humbën jetën tragjikisht, teksa personi që pësoi plagë të rënda ndodhet në gjendje të rëndë në Qendrën Klinike Universitare.

Lidhur me këtë rast, është arrestuar shoferi i veturës që dyshohet se i goditi viktimat, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për 22-vjeçarin, Lendrit Elshani, i cili dyshohet se nuk e ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes dhe për pasojë ka goditur këmbësorët.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës Shkodran Nikçi tha se ndaj 22-vjeçarit është bërë kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh.

“Nën dyshimin se ka kryer dy vepra penale “Rrezikim i trafikut publik” dhe “Mosdhënia e ndihmës pas aksidentit”, tha Nikçi.

Ndryshe, rastin e ka konfirmuar mbrëmë për Sinjalin edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Driton Rugova, i cili tha se shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin është shoqëruar në stacion policor.

“Rreth orës 21:30 Policia është informuar për një aksident trafiku në fshatin Ozdrim të Pejës. Në aksident kanë qenë të involvuara një veturë dhe tre këmbësorë, dy prej të cilëve kanë rezultuar me fatalitet. Vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, ndërsa i lënduari është dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës. Personi që dyshohet se ka shkaktuar aksidentin është shoqëruar në stacion policor”, tha Driton Rugova për Sinjalin.

Lidhur me rastin janë deklaruar edhe nga Prokuroria Themelore në Pejë, me ç’rast është bërë e ditur se brenda afatit ligjor do të ndërmerren veprimet e nevojshme.

Lexo edhe:  E rëndë: Prishtinasi rrah brutalisht ish të dashurën pas abortit, 25-vjeçarja përfundon në QKUK

16 shtatori shënoi një ditë të kobshme për Kosovën, pasi brenda pak orësh kanë ndodhur tri aksidente me fatalitet, një në Podujevë, një në Graçanicë dhe ky rast në Pejë.

Kujtojmë se në vazhdimësi bëhet thirrje për kujdes në komunikacion, pasi rastet e aksidenteve me fatalitet nuk po kanë të ndalur dhe shkaktarët më së shpeshti janë moszbatimi i rregullave.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.