Kërkesa e ministrit Maqedonci – A do ta “shkarkojë” qeveria vëllain e Enver Dugollit nga pozita e sekretarit?
Pozitën e pati të pakontestueshme veç për një javë. Fiks pas shtatë ditësh nga votimi në qeveri i Gafurr Dugollit si sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, u ngritën dyshime nëse ekzekutivi veproi ligjshëm.
Këtë e bëri Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil kur i dërgoi ministrisë një email të cilin e ka parë Klan Kosova, ku i shpjegon se Dugolli u emërua gjatë kohës sa KPMSHC po shqyrtonte ankesat e dy kandidatëve tjerë për sekretar, Fatos Qerimi dhe Enver Gërguri.
Kur ministri i Mbrojtjes e kuptoi veprimin, nisi në Qeveri kërkesën për anulimin e vendimit të 11 shtatorit, me të cilin Gafurr Dugolli emërohet sekretar i përgjithshëm.
Departamentit Ligjor iu kërkua të sqarojë edhe nëse konsiderohen të vlefshme vendimet e marra nga Dugolli gjatë periudhës së emërimit, në veçanti kontrata e famshme ekstrem-emergjente për furnizim me ushqim që e lidhi me Hajdini-Comerc dhe Bylmeti Sh.P.K, apo ajo mund të shfuqizohet.