Kërcet grushti mes katër personave pas një aksidenti trafiku në Prizren, arrestohet 45-vjeçarja
Shkeljet që bëhen në komunikacion jo rrallëherë përcillen edhe me konflikte verbale mes pjesëmarrësve në trafik, madje ka raste kur eskalojnë. Në të shumtën e rasteve, sherri plas si pasojë e aksidenteve që shkaktohen dhe mosmarrëveshjeve në mes të shoferëve, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një rast i tillë ka ndodhur të hënën në rrugën “Hoxhë Tahsini” në Prizren, ku katër persona janë përfshirë në përleshje.
Sipas informacioneve të para, dy palët fillimisht janë aksidentuar e më pas ka nisur debati mes tyre, që kaloi në sulm, ku për pasojë dy persona u lënduan.
Sinjali mëson se e dyshuara kryesore Z.R., (45-vjeçare) ka nisur përleshjen me dy viktimat, me të cilët u rrahën e madje dyshohet se i gjuajti edhe me gurë.
Posa Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, palët janë shoqëruar në stacion policor, me ç’rast kanë dhënë versionet e tyre për rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, e dyshuara është dërguar në mbajtje për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit për veprën “Lëndim i lehtë trupor”.