Kërcet dajaku para shkollës në Fushë Kosovë – arrestohet sigurimi i shkollës, një tjetër në arrati
Siguria në shkolla është kthyer në një nga shqetësimet më të mëdha për prindërit dhe nxënësit, dhe një ngjarje e tillë e ka theksuar më tej këtë problem.
Dje, në mesditë, një incident i rëndë ka ndodhur para shkollës “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë, ku një përleshje fizike ka shpërthyer mes sigurimit të shkollës dhe pronarit të një veture të parkuar gabimisht, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit brenda shkollës bëjnë me dije se gjithçka nisi pasi sigurimi i objektit, I.B., rreth 55-vjeçar, ndërhyri për të larguar një veturë kombi të parkuar gabimisht para hyrjes së shkollës. Pas mospranimit të vërejtjes nga pronari i veturës, A.H., situata eskaloi në një përleshje fizike.
Policia është thirrur menjëherë dhe ka arrestuar sigurimin, të cilit Prokurori i Shtetit i ka caktuar masën e ndalimit për 48 orë për veprën penale “Sulmi”.
Ndërkohë, i dyshuari tjetër ka ikur nga vendi i ngjarjes dhe është shpallur në kërkim.
Automjeti i përfshirë në këtë incident mbante targa civile dhe po verifikohet lidhur me pronësinë dhe qëllimin e ndaljes para shkollës.
Hetimet vazhdojnë ndërkohë që shqetësimi për sigurinë e ambientit shkollor thellohet dita-ditës.