Kërcënoi zyrtarin policor, ky është i riu që përfundoi në pranga në Mitrovicë

Gazeta Sinjali mbrëmë ka raportuar për arrestimin e një personi në Mitrovicë, i cili dyshohet se ka kërcënuar një zyrtar policor i cili i shqiptoi atij një gjobë për kundërvajtje në trafik. I riu me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për Fatbardh Abazin, 22-vjeçar.

Sipas burimeve, gjithçka ka ndodhur pasi polici e ka ndalur Abazin për kontroll dhe verifikim sepse i njëjti po e drejtonte veturën pa targa.

Për pasojë, zyrtari policor e ka gjobitur për kundërvajtje dhe kjo si duket e ka nervozuar shoferin e dyshuar.

Në shenjë revolte, i dyshuari e ka kërcënuar policin, duke e paralajmëruar se do ta pësojë keq, posa të jetë jashtë detyrës zyrtare.

Përballë kësaj situate, Policia e ka arrestuar të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij.

Pas përfundimit të procedurave policor, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje ndaj personit zyrtar’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Aksident i tmerrshëm në Serbi, vetura hynë në kahjen e kundërt – momenti kur ndodh përplasja