Kërcënoi me vrasje, pronari i kompanisë “Lirimi” i i shpëton paraburgimit

Misin Thaqi, pronari i kompanisë “Lirimi & ACL” që u arrestua pasi ka kërcënuar një person me vrasje, është lënë i lirë. Ai u dërgua vetëm në mbajtje për 48 orë, dhe nuk iu caktua masa e paraburgimit.

Thaqi dyshohet se pas një mosmarrëveshje që lidhet me prona, më 25 qershor në rrugën “Jakov Xoxa” në kryeqytet kishte kanosur dy persona.

Denoncimi i rastit nga viktimat aktivizoi Policinë, me ç’rast i njëjti u arrestua dhe u shoqërua në stacion policor, ku e mohoi t’i ketë kërcënuar viktimat.

Konflikti për pronësinë e disa lokaleve që eskaloi në kërcënim me vrasje i kushtoi Thaqit, pasi ndaj tij u lëshua urdhër për masën e ndalimit policor.

Megjithatë, brenda afatit ligjor, Prokuroria Themelore në Prishtinë, nuk ushtroi kërkesë për masën e paraburgimit.

Pas 48 orëve në mbajtje, sipas Sinjalit, Thaqi u lirua, teksa ndaj tij u iniciua hetim në drejtim të veprës penale “Kanosja”.

Sinjali ka raportuar për arrestimin dhe ndalimin e tij pasi kishte ndodhur incidenti.

Dy persona kanë dhënë deklaratat e tyre si viktima të këtij rasti, ndërsa edhe disa të tjera janë intervistuar si dëshmitarë të ngjarjes.

Lexo edhe:  Gjendet i vdekur Sokol Markaj, kërkohej nga Policia e Kosovës