“Kemi shku me fletore, i kemi mbajtë ka 2-3 orë”- Çka thoshte dikur për shkollën Dimali i 1-shave, e çka thotë tash?

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka përgatitur një urim në nder të fillimit të ditës së shkollës, më 1 shtator.

Basha me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka thënë se shkolla nuk është vetëm vend i dijes por edhe hapësira ku mësohen vlerat e forcohet karakteri.

“Shkolla nuk është vetëm vendi i dijes, por edhe hapësira ku mësohen vlerat, ku forcohet karakteri, ku kultivohet dashuria për atdheun dhe ku formohen qytetarët e përgjegjshëm të së ardhmes”, shkroi ai.

“Mirënjohje të thellë për mësuesit dhe edukatorët, që me përkushtim e dashuri udhëheqin fëmijët tanë drejt diturisë dhe që me shembullin e tyre ndriçojnë rrugën e brezave të rinj. Urime të gjithë nxënësve, prindërve dhe mësuesve për një vit shkollor të mbushur me suksese, frymëzim dhe arritje të reja!”, vijon shkrimi i tij.

Megjithatë, dikur mirënjohje nuk kishte edhe aq për arsimtarët dhe për shkollën e mesme ku kishte diplomuar. Basha deklarohej për një 1-sh të marrë në lëndën e Biologjisë, ku thoshte se për inat të atij arsimtari s’kishte mësuar.

“Ai ma ka lan 1-sh sepse unë kam qeshur edhe unë me atë inat nuk kam mësu atë lëndë”.

Basha madje thoshte se kishte shkuar me një fletore dhe mbante vetëm 2-3 orë gjatë shkollimit të mesëm.

“Unë po pranoj që s’kemi msu asgjë në shkollë të mesme. Asnjë send. Ne kemi shku aty me fletore, i kemi mbajtë ka 2-3 orë”, thoshte dikur i pari i Kuvendit.

Me Bashën tallej edhe një shok i klasës së tij, i cili thoshte se për një kohë të gjatë kishte menduar se alfabeti i gjuhës shqipe i ka vetëm 27 shkronja.

Lexo edhe:  Reduktime të energjisë elektrike për sot

“Bile, Dimalin e kam pas shok të klasës. Kohë të gjatë ka mendu qe alfabeti shqip i ka 27 shkronja”, shkruante në ‘Facebook’ ai.