“KEK-u ia kishte dhënë tenderin kompanisë që prodhon dyer e dritare për riparimin e Bllokut A5”
(Foto është ilustrim)
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri thotë se kryeministri Albin Kurti po tregohet i paguximshëm për t’i shkarkuar Martin Berishajn e Nagip Krasniqin.
Sipas tij krejt kjo situatë lë për të dyshuar se kemi të bëjmë me një sistem të organizuar që ka pasë për qëllim sigurimin e financave për VV-në.
“Sigurisht që shpjegimin duhet ta japë vet kryeministri Kurti. Pse është i paaftë me i shkarku dy njerëzit më të përfolur për korrupsion. A është vet z. Kurti në ndonjë mënyrë i përfshirë me këta njerëz sepse mbrojtja e tyre nga VV e nga Qeveria në mënyrë kaq fanatike, lë për të dyshu se kemi të bëjmë me një sistem krejt të organizum e që ka pasë për qëllim sigurimin e financave për VV, në një mënyrë ose tjetrën. Sepse Lëvizja Vetëvendosje asnjëherë deri më sot nuk e ka mohuar që Martin Berishaj apo paratë e ndërlidhura me të nuk kanë hyrë në fushatën e saj politike”, ka deklaruar Tahiri.
Duke folur për rastin e Nagip Krasniqit, ai ka thënë se KEK-u në kohën e tij ia ka dhënë tenderin për riparimin e Bllokut A5, një kompanie që funksion primar e ka prodhimin e dyerve dhe dritareve të plastikës.