Katër vite mandat veç katër çerdhe të ndërtuara

Të vegjël në moshë, por për fëmijët kosovar ishte dhënë një premtim i madh nga Lëvizja Vetëvendosje.

Hiç më pak se 160 çerdhe Albin Kurti, kishte premtuar gjatë prezantimit të programit të Lëvizjes Vetëvendosje, se do të realizoheshin për gjatë mandatit qeverisës, por edhe ky premtim po del të jetë tejet vështirë i realizueshëm, kur kanë mbetur vetëm edhe pak muaj deri në kohën kur Qeveria Kurti edhe ligjërisht e përmbyllë mandatin e saj katër vjeçar, shkruan FrontOnline.

“Prandaj do të investojmë në shkolla dhe çerdhe publike me kujdes dhe edukim cilësor dhe shujta falas. Përmes investimeve ne 160 çerdhe dhe në adaptimin e hapësirave në institucione shkollore, përfshirja në edukimin e fëmijërisë së hershme rritet nga 7% në 24% për fëmijët e moshës 0-5 vjeç dhe nga 38% në 64% për fëmijët e moshës 3-6 vjeç. Kur kësaj i shtohet rritja e kapaciteteve në sektorin privat, atëherë mund të pritet rritje edhe më e madhe e pjesëmarrjes”, kishte thënë Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës, gjatë prezantimit të plotë të programit qeverisës për vitet 2021-2025, në shkurt të vitit 2021.

Nga 160 çerdhe të premtuara nga kryeministri Kurti, vetëm katër prej tyre iu është vendosur gurë themeli, derisa të tjerat kanë mbetur thjeshtë vetëm të shkruara si premtim në programin e Vetëvendosjes.

Për katër vite të qeverisjes, janë ndërtuar vetëm katër çerdhe nga 160 sa janë premtuar e që i bie në përpjesëtim një çerdhe në vit.

Në Prishtinë, Gjakovë, Gjilan dhe në Fushë Kosovë, janë qytetet që kanë ‘’ përfituar’’ nga një çerdhe nga Qeveria aktuale.

 

Bajrami e LDK-së: Skandaloze se si nga 160 çerdhe u ndërtuan vetëm katër nga to

Lexo edhe:  Vodhi dy palë këpucë të 400 eurove, kapet hajni që bënte kërdi në një ndërtesë në Pejë

Deputetja e LDK-së dhe ish-ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Hykmete Bajrami, për FrontOnline, thotë se Qeveria Kurti për tri vite mandat, ka ndërtuar vetëm tri çerdhe ani pse kishte premtuar ndërtimin e 160 të tyre.

‘’Vetë kryeministri Kurti tek Këshilli i Përgjithshëm i VV-së, tha se ata i kanë ndërtuar vetëm katër çerdhe prej 160 të premtuara, pas tri viteve mandat u ndërtuan vetëm katra’’ thotë ajo.

Deputetja Bajrami, potencon se nuk ka ndonjë gjasë që premtimi i Lëvizjes Vetëvendosje, për ndërtimin e 160 çerdheve të mbaroj brenda këtij mandati qeverisës.

‘’Ne e dimë se nuk ka asnjë gjasë teorike të përfundoj ky premtim, por ajo çka është skandaloze as nuk ka filluar të përmbushet, sepse 4 prej 160, nuk është as 5% i premtimit’’ thotë ajo.

Deputetja e LDK-së, e konsideron si jo të befasishme edhe këtë gjë, sepse sipas saj gjithçka çka premtuar Vetëvendosje, ka ndodhur e kundërta.

‘’Por kjo nuk është befasi, sepse gjithçka çka është premtuar ka ndodhur e kundërta e tyre’’ u shpreh Bajrami për FrontOnline.

Ish-zëvendësministri i arsimit për premtimin e Qeverisë për 160 çerdheve: Strategji e gabuar për të zgjidhur këtë problem

Profesori dhe ish-zëvendësministri i arsimit, Xhavit Rexhaj, për FrontOnline, thotë se përfshirja tejet ulët e fëmijëve në nivelin e hershëm të edukimit, përbën një nga pikat me të dobëta dhe kërcënim për zhvillimin e mëtejme për të ardhmen

‘’Edukimi i hershëm është çështja më e ndjeshme në sistemin e të arsimit në Kosovë. Përfshirja tejet e ulët e fëmijëve në këtë nivel të edukimit, përbën një nga pikat më të dobëta me kërcënim edhe për zhvillimin e me tejme të niveleve edhe më të larta në të ardhmen’’ thekon ai.

Ndërkaq për premtim e Lëvizjes Vetëvendosje për ndërtimin e 160 çerdheve, Rexhaj deklaron se këto janë strategji të gabuara që po përdorën dhe se të tilla premtime ka pasur edhe në qeveritë e kaluara.

Lexo edhe:  Policia e Kosovës pajiset me kamera në trup, njofton se kanë filluar fazën tesutese

‘’Strategjitë e zgjedhura për të zgjidhur këtë problem, nuk kanë qenë të duhura për kontekstin kosovar. Sepse është vështirë të premtohet të ndërtohen 160 çerdhe, sepse edhe nga e kaluara kemi pasur raste të projekteve të mëdha, por nuk ka pasur mundësi të ndërtohen 160 çerdhe apo shkolla brenda një mandati qeverisës, dhe kjo ka qenë strategji e gabuar’’ potencon ai.

Ish-zëvendësministri i MAHT-tit, thekson se dueht bërë shumë më shumë se sa që është bërë deri më tani.

‘’Janë hapur edhe paralele për fëmijët në shkollat fillore, por kjo strategji është zhvilluar sa duhet. Mendoj se kjo ka qenë mungesa kryesore në fëmijërinë e hershme. Duhet bërë shumë më shumë se sa që është bërë deri tash’’ deklaroj Rexhaj për FrontOnline.

 

Ish-ministri Reçica: Nuk po mundem me besuar se si nga 160 çerdhe të premtuara u realizuan vetëm katër

Ish-ministri i Punës dhe Mirëqënies Sociale, Skënder Reçica, për FrontOnline, thotë se më së miri e tregon gjendja faktike premtimin e dhënë nga Qeveria Kurti për ndërtimin e disa çerdheve në vend.

‘’Premtimi i Qeverisë Kurti për ndërtimin e një numri, që ata e kanë paralajmëruar me 160 çerdhe, është në vargun e atyre premtimeve, por më së miri flet gjendja faktike. Nuk kam saktë sa çerdhe janë ndërtuar brenda mandatit, por që nuk e ka arrite këtë premtim është mese e sigurt’’ thotë ai.

Reçica, shprehet se duke pasur shumicën Qeveria Kurti, ka mundur që ta shtyjë përpara agjendën për përmirësimin e mirëqenies sociale.

‘’Unë nuk do të ndalem tek mos përmbushja e këtij premtimi, por do të ndalesha tek premtimet e mëdha që kishin dhënë për mirëqenien sociale. Duke pasur parasysh se kjo Qeveri ka shumicën parlamentare, nuk e kuptoj faktin se si nuk e shtyri përpara agjendën që do ta ndryshonte dukshëm gjendjen e qytetarëve. Nuk ka arritë të përmbushë’’ potencon ai.

Lexo edhe:  Ushtarët e Kosovës do të dërgohen për shërbim jashtë vendit, tani në disa ishuj të largët

Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, i duket e pa besueshme se si Qeveria Kurti nga 160 çerdhe të premtuara, i ka realizuar vetëm katër.

‘’Nuk po dua me besuar që nga 160 çerdhe i ka ndërtuar vetëm katër, nëse nuk ka arritë me e ndërtu 10% e këtij premtimi, nuk e di kur ka me arrite me përfundu’’ përfundoj Reçica për FrontOnline.

 

Dreshaj për premtimin e Kurtit për nderimin e 160 çerdheve:  Premtim mashtrues sikurse premtimet tjera

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, për FrontOnline, paralajmëron premtime rrush nga partitë politike brenda këtij viti, të cilin e konsideron si vit zgjedhor.

‘’Ky është vit zgjedhor, premtimet janë rrush nga të gjitha partitë’’ thotë ai.

Dreshaj, premtimin e VV-së për ndërtimin e 160 çerdheve e quan si premtim mashtrues sikurse edhe premtimet tjera.

‘’Si shumë premtime, tjera edhe ky premtim mashtrues’’ thotë ai.

Dreshaj, potencon se nëse ky premtim nuk ka arritur të realizohet për tri vite e gjysmë, është e pamundur të bëhet për tre muajt e ardhshëm.

‘’Unë mendoj se nëse për tri vite e gjysmë të implementohej premtimi i dhënë është iluzore të pritet për tre muaj që diçka e tillë të ndodhë’’ tha deputeti Dreshaj për FrontOnlie.

Ndryshe, gjatë prezantimit të buxhetit për vitin 2023, kryeministri Albin Kurti, kishte thënë se janë buxhetuar edhe 11 çerdhe të reja, që do të duhej të ndërtoheshin këtë vit.