Karrigët pa leje në rrugë dhe para nga komuna, kush është ish-kandidatja biznesmene e PDK-së që po e favorizon Skenderaji

Ish-kandidatja për deputete nga PDK, Mihane Kodra Bekteshi, e cila është pronare e restorantit “Atlantic” në Skenderaj ka uzurpuar pronën publike, duke bllokuar rrugën me ulëse nga restoranti saj.

Në një video të siguruar nga Gazeta Insajderi mund të shihet qartazi se si ish-kandidatja për deputete ka vendosur ulëset në rrugë dhe për këtë nuk ka marrë leje.

Do të thotë ajo nuk e ka paguar komunën për shfrytëzimin e pronës publike.


Komuna e konfirmon: Lokali në fjalë nuk ka leje

Drejtori i Inspeksionit në Skenderaj, Valon Haliti, e ka konifrmuar për Gazetën Insajderi se prona po shfrytëzohet pa leje nga biznesmenja Bekteshi.

“Është e vërtetë që, jo vetëm restaurant ‘’Atlantic’’, por edhe lokalet tjera nga sektori i gastronomisë janë duke i shfrytëzuar hapësirat publike”, tha ai.

Sipas tij për shkak të pandemisë në vitet e kaluara lokalet ishin të liruara nga pagesa dhe se tashmë e dy javë është marrur vendimi për taksa.

“Tanimë, para dy jave e kemi marrë miratimin nga MAPL, për rregulloren komunale për taksa, tarifa, gjoba dhe ngarkesa. Kështu që shumë shpejt do të njoftohen të gjithë operatorët ekonomikë që konform kësaj rregulloreje të paraqiten për të marrë leje për shfrytëzim, në të kundërtën, si drejtori e Inspekcionit do të veprojmë për lirim të gjitha hapësirave publike pa dalllim”, thuhet në përgjigjen e tij për Gazetën Insajderi.

Bllokimi i sheshit nga i njëjti biznes

Por, përveç shfrytëzimit të hapsirës pa leje, i njëjti biznes është akuzuar se ka përfituar edhe nga banakët të cilët janë vendosur në shesh.

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Skenderajt, Hysni Mehani, përmes një statusi në Facebook kishe shprehur shqetësimin e tij duke thënë se sheshi është bllokuar tërësisht nga vendosja e banakit nga biznesi i anëtares se kryesisë së PDK-së.

Lexo edhe:  Lajm i keq për kosovarët, rritet shpejt çmimi i naftës

“Sa më shumë banakë, aq më shumë fitim! Sepse çdo banak, ka çmim! Banaku që e bllokon rrugën, mban emrin e biznesit të anëtares së kryesisë së PDK-së. Ai banak nuk ka çmim, ai është banaku i partisë dhe për shpërblim ka bllokimin e sheshit. Banakut të partisë i lejohet bllokimi i sheshit. Në librat orëellian, banaku i partisë nuk e zë rrugën, ai është aty për të hapur rrugën”, ka shkruar ai.

Ai ja numëroi edhe përfitimet e tjera të saj nga Komuna si lënja e mijëra eurove për dreka dhe darka zyrtare dhe që në të njëjtin restorant kishte detyruar nxnësit që t’i mbajnë mbrëmjen e maturës.

“Ai banak, në të cilin, Fadil Nura, i kishte lënë me mija euro në dreka e darka zyrtare. Ai banak, në të cilin, Fadil Nura, i kishte detyruar nxënësit e shkollave të mësme t’i mbajnë mbrëmjet e maturës. Ai banak, që vitin e kaluar nuk ishte fare, ose edhe nëse ishte, ishte i barabartë me të tjerët, tash e zë rrugën tërësisht, dhe atë, midis sheshit|”, përfundoi ai.

E kontaktuar nga Gazeta Insajderi Kodra Bekteshi fillimisht e ka mohuar duke thënë se ka leje.

“Hahah shumë po ju pengojnë?, Që dy vite kemi leje”, u përgjigj ajo.

Por, pasi Insajderi e ka njoftuar me përgjigjen e Komunës, e njëjta nuk është përgjgjur më.

Pronarja e këtij lokali është e njohur edhe për përfitme të më hershme nga Komuna e Skenderaj. Gazeta Insajderi kishte raportuar se komuna kishte mbajtur një ngjarje në këtë restorant që i kushtoi afër 3 mijë euro.

Një faturë prej 2 mijë e 800 euro është paguar nga komuna e Skenderajt, për një ngjarje sportive që është mbajtur në muajin mars të këtij viti.

Lexo edhe:  Vritet shqiptari në Spanjë, lajmi bënë bujë në mediat spanjolle


Eventi për shpalljen e sportistit të vitit, është mbajtur në restorantin “Atlantic”, që është në pronësi të ish-kanidatës për deputetet nga Partia Demokratike e Kosovës, Mihane Kodra-Bekteshi, shkruan Gazeta Insajderi.

Përveç këtij rasti, ka pasur edhe të paktën 12 fatura tjera të drekave e darkave që zyrtarët e komunës së Skenderajt, që drejtohet nga PDK-ja kanë konsumuar në restoranin e Mihane Kodra Bekteshi.

Mihane Kodra-Bekteshi, ishte kandidate për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e shkurtit 2021. Ajo mbanë pozitën e anëtares së kryesisë së kësaj partie në Skenderaj.