Kapet me armë në brez nga Mbrojtja e Afërt 35-vjeçari që mori pjesë në tubimin e VV-së në Vushtrri
Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri mjaft shqetësuese, duke cenuar kështu sigurinë publike.
Pothuajse çdo ditë, Policia has në persona, kryesisht të rinj që posedojnë armë dhe sillen lirshëm me to. Një rast i tillë është sulmuar mbrëmë në sheshin e Vushtrrisë, gjatë tubimit të Vetëvendosjes.
Siç merr vesh Sinjali, një pjesëmarrës në këtë tubim është kapur me një armë ilegale që e mbante në brez.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për A.Tahiri, rreth 35-vjeçar, i cili u arrestua dhe u shoqërua në stacion policor.
Arma me fishekë janë sekuestruar nga ana e zyrtarëve policorë, ndërsa i dyshuari është intervistuar.
Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e hetimit në drejtim të veprës penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri 7.500 euro ose me burgim deri në 5 vjet.