Kapen dy të rinj me armë e thikë në Ferizaj – Njëri ndalohet për 48 orë
Një rast i mbajtjes së paautorizuar të armës është zbuluar mbrëmjen e djeshme në Ferizaj, ku dy të rinj janë arrestuar nga Policia.
Rreth orës 22:40, në rrugën “Ahmet Kaçiku”, afër lokalit “Gesi Caffe”, zyrtarët policorë që po shkonin për ndërrimin e natës kanë vërejtur një veturë të tipit VW Jetta, me ngjyrë të zezë, brenda së cilës ndodhej i dyshuari Denis Syla, 22 vjeçar, i cili po manipulonte me një armë zjarri.
Pas ndërhyrjes së menjëhershme, policia ka arrestuar Sylen, ndërsa gjatë kontrollit trupor të pasagjerit Donjard Salihi, 22 vjeçar është gjetur një thikë.
Të dy të dyshuarit janë shoqëruar në Stacionin Policor, ku janë intervistuar nga Njësia e Hetimeve, ndërsa në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: një armë zjarri me karikator (pistoletë), 7 fishekë, një thikë, në posedim të dy të dyshuarve veç e veç.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka autorizuar iniciimin e rastit me veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa ndaj Denis Sylës është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.