Kanosi zyrtarët policorë, i dyshuari që ishte nën ndikimin e alkoolit arrestohet dhe ndalohet për 48 orë

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë pakënaqësitë e tyre kalojnë në kërcënime, duke ua vështirësuar kështu punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodh edhe në Prizren, konkretisht në rrugën “Fan Noli”, ku një qytetar i ka kanosur disa policë derisa ishin duke e kryer punën e tyre.

Siç merr vesh Gazeta Sinjali, i dyshuari nuk ishte ndalur pas urdhrit të patrullës policore, fakt ky që i ka bërë Policinë ta ndjekin atë – derisa e kanë kapur.

Pas këtij momenti, i dyshuari që ka qenë nën ndikimin e alkoolit i ka kërcënuar zyrtarët policorë.

Për pasojë, qytetari është arrestuar nga Policia e Prizrenit.

Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti për veprat penale ‘Kanosje’ dhe ‘Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare’.

Po ashtu ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Lexo edhe:  Shumica duan të ikin, por mërgimtari nga Drenica po kthehet në Kosovë