Kamionët mbi urën e Ibrit për të testuar stabilitetin, situata po përcillet nga Policia dhe KFOR-i

Tashmë zyrtarisht është duke u bërë testimi i urës së Ibrit, nga kompania e kontraktuar për testimet me kamionë në kuadër të stabilitetit infrastrukturor të kësaj ure në Mitrovicë.
Përderisa mbi urën e Ibrit po lëvizin kamionë të kontraktuar për testimin e stabilitetit, në Komunën e Mitrovicës së Veriut është duke u mbajtur një diskutim publik për përfitimet që do të sjellë hapja e kësaj ure.

Policia e Kosovës dhe KFOR-i po kujdesen nga afër për zhvillimet në kuadër të testimeve tek Ura e Ibrit.

Ndryshe ditë më parë nga Ministria e Infrastrukturës kanë bërë të ditur se ky proces i matjeve dhe testimeve mund të zgjasë nga tri deri në katër ditë.

Kompania e kontraktuar nga ministria përkatëse është e kontraktuar që të bëjë gjeometrinë e urës, testimin e shtyllave, të pllakave dhe themeleve.

Ndryshe prej dje në kuadër ët kësaj ure janë kryer edhe punime të tjera, si lyerja e mureve.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti vazhdimisht ka potencuar se ura duhet të hapet dhe kjo hapje s’do i ndikoj për të keq askujt.

 

Pavarësisht kësaj ambasadorët e BE-së si dhe SHBA-ja kanë bërë thirrje që të mos merren hapa të tillë pasi sipas tyre kjo çështje rregullohet vetëm në kuadër ët dialogut.

Këtë e kanë kundërshtuar nga Qeveria e Kosovës duke thënë se çështja e urës u rregullua që në vitin 2016 dhe s’ka të bëjë më me dialogun.

Policia e Kosovës ka arrestuar sot serbin e njohur në veri të vendit nga partia Demokracia Serbe, Aleksandar Arsenijeviq.

Kjo është konfirmuar nga zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani.

Sipas Elshanit deri tek arrestimi i Arsenijeviq erdhi për shkak se ai ka penguar punëtorët e komunës së Mitrovicës së Veriut si dhe ka refuzuar urdhrat policore.

Lexo edhe:  Kurti iu çon bakllavë policëve të Kosovës në Veri, shoqërohet nga Sveçla

I lartcekuri është arrestuar në afërsi të urës së Ibrit, ku punëtorët e komunës ishin duke e lyer murin.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, më 1 gusht përsëriti qëndrimin e BE-së se çështja e hapjes së urës në Mitrovicë duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut, duke pasur parasysh që për këtë ekziston një marrëveshje.

KFOR-i gjithashtu deklaroi se nuk do të hezitojë të reagojë nëse ekziston rreziku që ngjarjet të ndikojnë në sigurinë dhe stabilitetin rajonal.