“Kam me vra”- Kërcënohet me jetë rreshteri i Policisë së Kosovës, Prokurori e liron të dyshuarin

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës.

Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën. Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në rajonin e Prizrenit, ku është kanosur seriozisht një zyrtar policor, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për zyrtarin policor A.B., me gradë e rreshterit,  i cili është kërcënuar me jetë nga i dyshuari D.G., për motive akoma të panjohura.

Sinjali mëson se rasti ka ndodhur më 3 mars, kur i dyshuari i ka dërguar ‘selam’ policit përmes një personi tjetër, duke e paralajmëruar se do ta vras. Në bazë të provave të mbledhura deri më tani, burimet thonë se i dyshuari e ka porositur dëshmitarin që t’ia dërgojë rreshterit mesazhin e tij me fjalët “kam me vra”.

Ky mesazh e ka alarmuar zyrtarin policor, i cili ashtu siç e ka obligim, e ka raportuar rastin dhe menjëherë kanë nisur hetimet preliminare, që zbardhin motivet dhe rrethanat e rastit.

Si rezultat i denoncimit, hetuesit policorë e kanë intervistuar personin që ia transmetoi mesazhin rreshterit, e po ashtu edhe të dyshuarin. Ky i fundit e ka pranuar veprën me të cilën ngarkohet, si dhe ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të lihet i lirëdhe i njëjti të hetohet në procedurë të rregullt për veprën penale “Kanosje”.

Rasti është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Prizren.

“Është raportuar për rastin e lartcekur. I dyshuari është shoqëruar në polici, është intervistuar dhe ka pohuar se ka kanosur viktimën. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që pas intervistimit i dyshuari të lirohet dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt.”

Lexo edhe:  Mitrovicasi e akuzon nipin se vodhi në shtëpinë e tij dhe e kërcënon: Do ta paguash me jetë