“Kam me ju vra e me ju kallë“ Burri kërcënon me vrasje ish-bashkëshorten në Prizren
Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë është në rritje çdo ditë e më shumë. Çdo ditë gra që përjetojnë dhunë nga familjarët e tyre, e shumë herë edhe nga ish-bashkëshortët, kërkojnë ndihmën e Policisë për të marrë mbrojtje dhe për të zgjidhur problemet.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në fshatin Vlashnje të Prizrenit, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj ish-gruas së tij, duke e kërcënuar me vrasje.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se gruaja e ka denoncuar të dyshuarin, pasi u përball me të derisa ishte për vizite të familjarët e saj. Aty, sipas informacioneve të para, ka shkuar edhe ish-burri i saj, i cili e ka kërcënuar seriozisht duke i thënë se “Kam me ju vra e me ju kall”.
Përballë kësaj situate, që i ka shkaktuar frikë të madhe, ajo ka njoftuar menjëherë Policinë për të kërkuar ndihmë para se të ndodhë diçka me e keqe. Si rezultat i denoncimit, njësitet policore janë vënë në lëvizje, me ç’rast kanë arritur të arrestojnë personin e dyshuar, i cili u shoqërua në stacion policor për intervistim.
Sinjali mëson se gjatë dhënies së dëshmisë së tij para hetuesve policorë, burri i dyshuari e ka pranuar pjesërisht kanosjen ndaj ish-bashkëshortes.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.