Kafja, qumështi, vezët… Ekonomisti kosovar tregon produktet me rritjen më të madhe të çmimeve në prill

Ekonomisti Shenoll Muharremi ka reaguar pas publikimit të të dhënave të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për nivelin e inflacionit gjatë muajit prill, duke paralajmëruar se rritja e çmimeve në disa kategori kyçe po ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve, shkruan Insajderi.

“Nuk është vetëm statistikë, është realiteti i përditshëm që qytetarët po e ndiejnë në xhep. Rritja është e dukshme dhe e prekshme në disa nga produktet më të përdorura”, ka shkruar Muharremi, duke publikuar një listë me kategoritë që kanë pësuar rritjen më të madhe.

Sipas tij, këto janë disa nga produktet dhe shërbimet që kanë shënuar rritje në muajin prill:

Kafja, çaji dhe kakao: +16,4%

Transporti: +13,1%

Pemët: +11,1%

Vajrat dhe yndyrnat: +11,1%

Mishi: +10,1%

Qumështi, djathi dhe vezët: +7,9%

Perimet: +6,9%

Ai ka deklaruar se kjo rritje vjen në vazhdën e shtrenjtimit të energjisë elektrike, faktor ky që ka ndikuar zinxhir edhe në prodhim, furnizim dhe shërbime.

Muharremi e sheh këtë situatë si alarm për politikat publike dhe sociale, pasi shtresat me të ardhura të ulëta janë më të ekspozuara ndaj efekteve të inflacionit, ndërsa institucionet duhet të ndërhyjnë me masa për të zbutur barrën ekonomike.

Të dhënat e ASK-së për prillin konfirmojnë trendin e rritjes së çmimeve, veçanërisht në sektorët që ndikojnë drejtpërdrejt në buxhetin familjar, nga produktet bazë ushqimore, deri te transporti dhe shërbimet.

Lexo edhe:  Po shoqërohej në Polici për vjedhje, ky është i dyshuari që e kërcënoi një person te stacioni policor