Kaçanik: Kamarieri dënohet se i shërbeu një vajze alkool
Gjykata Themelorë në Ferizaj-dega Kaçanik kishte shqiptuar si dënim “vërejtjen gjyqësore” ndaj A.M. pasi që i njëjti kishte shërbyer pije me përmbajtje alkoolike një të miture.
Me vërejte gjyqësore të pandehurit i është bërë me dije se ka kryer vepër penale të dënueshme dhe po qesë sërish kryen vepër të tillë, gjykata do t’i shqiptojë sanksion penal më të rreptë.
Këtë vendim gjykata në përbërje prej gjyqtares së vetme gjykuese, Zajrete Muhaxheri e kishte marrë në korrik të vitit 2020.
Sipas aktakuzës së ngritur nga prokuroria në Ferizaj e cila mban datën 21.10.2019, A.M kishte shërbyer pije alkoolike të miturës e cila kishte vetëm 16 vjet.
I njëjti punonte si kamerier në lokalin ku e mitura me disa shoqe e kishin frekuentuar.
I pandehuri kishte shërbyer të miturën me një pijë “Smirnof Ice”, edhe pse sipas gjykatës i pandehuri ka mundur ta dijë moshën e re të të miturës.
E për këto veprime A.M kishte pranuar fajësinë.
Sipas kodit penal të Kosovës neni 266 paragrafi 1, vepra penale “Shërbim me pije alkoolike i personave nën moshën 16 vjet” është e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.
Kurse paragrafi dy i kësaj vepre specifikon se nëse vepra nga paragrafi një kryhet nga pakujdesia, kryerësi dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.
Deri tek marrja e këtij vendimi gjykata ka shqyrtuar rrethanat lehtësuese dhe ato rënduese.
Si rrethana lehtësuese në shqiptimin e dënimit gjykata kishte marrë pranimin e fajësisë, mosha e re, pendimin e sinqertë dhe se i njëjti nuk ka kryer vepra penale më herët.