“Ka refuzuar të dalë nga makina dhe ka lëshuar fjalë fyese”, Policia tregon pse e arrestoi me forcë Metën

Policia shqiptare ka arrestuar sot me forcë ish-presidentin e Shqipërisë, Ilir Metën.

Ky i fundit kur është ndaluar nga Policia me vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO), me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, ka refuzuar të dalë nga makina.

“Shtetasi I.M. ka reaguar në mënyrë refuzuese dhe kundërshtuese dhe ka lëshuar fjalë fyese në drejtim të përfaqësuesve të Policisë dhe Drejtësisë”.

Pas këtij momenti, Policia ka njoftuar se “bazuar në procedurën e parashikuar nga Rregullorja, ai është nxjerrë nga automjeti dhe shoqëruar forcërisht”.

Postimi i policisë shqiptare:

Me detyrimin ndaj opinionit publik lidhur me mënyrën e shoqërimit të shtetasit I.M., sqarojmë se:

Policia e Shtetit ka marrë për ekzekutim vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO), me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e shtetasit I.M, 55 vjeç. Për zbatimin e këtij vendimi Policia e Shtetit ka marrë masa operacionale, sipas procedurave të parashikuara nga Rregullorja.

Rreth orës 13:15 minuta Policia e Shtetit ka marrë informacion dhe më pas ka konstatuar se në vendin e quajtur ‘Kthesa e Kamzës’, në zonën e Laprakës, shtetasi I.M po udhëtonte me një automjet në drejtim të Tiranës.

Në këtë moment është bërë ndalimi i automjetit dhe drejtuesi i grupit operacional i ka komunikuar shtetasit I.M, vendimin e gjykatës për masën e sigurisë “Arrest në burg” dhe i ka kërkuar të zbresë nga automjeti.

Shtetasi I.M. ka reaguar në mënyrë refuzuese dhe kundërshtuese dhe ka lëshuar fjalë fyese në drejtim të përfaqësuesve të Policisë dhe Drejtësisë.

Bazuar në procedurën e parashikuar nga Rregullorja, ai është nxjerrë nga automjeti dhe shoqëruar forcërisht.

Policia e Shtetit nënvizon se përdorimi i forcës për shoqërimin e subjektit u imponua nga kundërshtimi me forcë prej tij për zbatimin e vendimit të gjykatës që iu komunikua nga punonjësit e Policisë.

Lexo edhe:  Ekspertët e KEK-ut e riparuan gabimisht Bllokun B2, rreth gjysmë milioni euro humbje në ditë