“Ju mbys me 30 plumba”: 27-vjeçari në Prishtinë kërcënon me jetë nënën e moshuar dhe motrën e tij

Rastet e dhunës në familjet kosovare po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që çdo ditë e më shumë gratë janë ato që po përjetojnë dhunë fizike e psikike nga familjarët e tyre.

Në shumë raste janë nënat e vajzat të cilat kërkojnë ndihmën e Policisë, pas veprimeve të dhunshme dhe të rrezikshme të djemve/vëllezërve, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në një familje në rrugën ‘Bajram Bahtiri’ në Prishtinë, ku një person dyshohet se ka kërcënuar me jetë nënën dhe motrën e tij.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 68-vjeçarja dhe vajza e saj kanë denoncuar rastin në Polici, ku kanë deklaruar se pas një konflikti verbal me djalin/vëllain, ky i fundit ka eskaluar në kërcënime serioze, duke i kanosur me thikë dhe duke u thënë se do i vrasë me 30 plumba.

Posa rasti është denoncuar në Polici, 27-vjeçari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij për rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të ndalohet i dyshuari dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Gati gjysma e Kosovës nesër pa rrymë deri në 8 orë