Jo veç barna, Policia gjen edhe armë në shtëpinë e Arianit Sllamnikut
Policia e Kosovës, konkretisht Sektori Rajonal i Hetimeve i DRP Gjilan, në bashkëpunim me institucionet dhe njësitë relevante, me autorizim të Prokurorit të Shtetit, më 20.01.2026 ka ndërmarrë veprime fillestare hetimore ndaj të dyshuarit Arianit Sllamniku, nën dyshimin se i njëjti ka ushtruar veprimtari mjekësore në mënyrë të kundërligjshme.
Sipas Policisë, i dyshuari po hetohet për veprat penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” si dhe “Eksperimentet e kundërligjshme mjekësore dhe testimi i barërave”, të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Me qëllim të sigurimit dhe mbledhjes së provave, dhe bazuar në urdhëresë të Gjykatës Themelore në Gjilan, është realizuar kontroll në pronat e të dyshuarit. Gjatë kontrollit kanë qenë prezent edhe inspektorë të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët kanë asistuar në identifikimin e medikamenteve farmaceutike.
Gjatë kontrollit policor janë gjetur dhe sekuestruar: dy armë zjarri të gjata dhe dy armë zjarri të shkurtra (me leje përkatëse), sasi municioni dhe disa karikatorë, medikamente të ndryshme, libra protokolli, si dhe pajisje elektronike, përfshirë shtëpizë kompjuteri, telefon dhe mikroçipa.
I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

