Jasharaj e mohon se janë tërhequr nga 100 eurot: S’jemi afër marrëveshjes, kryeministri po bën humor duke më bullizuar
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka mohuar të jenë tërhequr nga kërkesat e tyre për 100 eurot shtesë deri në zbatimin e Ligjit të Pagave, raporton Gazeta Sinjali.
Jasharaj për Sinjalin tha se nuk ka pasur asnjë takim sot dhe nuk mund të tërhiqen nga kërkesat e tyre.
Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po bën ironi dhe humor duke thënë se po e bullizon atë.
“Nuk është e vërtetë. Nuk kemi pasur asnjë takim sot. Nuk mund te tërhiqemi nga kërkesat tona. Nuk është tërheqje. Mediat e kane lexuar gabim. Asnjë takim nuk do të lejojmë ta mbajmë me Qeverinë pa prezencën e mediave. Kryeministri po bën ironi, humor e duke me bulizuar mua. Kërkesat tona vazhdojnë të jenë të njëjtat. Nuk ka asnjë marrëveshje dhe nuk jemi afër marrëveshjes”, tha Jasharaj për Sinjalin.
Ndryshe pak më parë në media u publikua një letër e dërguar nga kreu i SBASHK-ut drejt Avokatit të Popullit, për të cilën u raportua se grevistët janë tërhequr nga kërkesa për 100 eurot.