Iu përmend emri për kryeministre të ardhshme, reagon Gresa Caka: S’kam interesim për asnjë post publik e politik

Ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka ka dalë me një reagim pasi ditë më parë u publikua një bisedë personale mes gazetarit Berat Buzhala dhe politikanit Petrit Selimi. Në bisedën e dyshes diskutohej për formimin e qeverisë së re të Republikës së Kosovës, e ku ndër emrat për kryeministër të ardhshëm u përmend edhe Gresa Caka.

Caka përmes një reagimi në rrjetin social Facebook ka thënë se nuk ka folur më parë rreth kësaj, pasi kjo mënyrë e komunikimit nuk meriton të marrë përgjigje.

Ajo tutje ka përmendur bisedën ku u përmend emri i saj për një pozitë në një qeveri të re të mundshme, duke thënë se kjo nisi një fushatë kundër saj.

“Nuk kam reaguar asnjëherë ndaj sulmeve, shpifjeve dhe linçimit që fatkeqësisht e karakterizojnë diskursin tonë publik. Vlerësoj që një nivel dhe mënyrë e tillë e padenjë e komunikimit, nuk meriton të legjitimohet me përgjigje.

Përjashtimisht dhe marrë parasysh që një bisedë në të cilën është përmendur edhe emri im, pa dijeninë dhe rrjedhimisht, pa miratimin tim, ka mjaftuar për të filluar një fushatë agresive dezinformatash bazuar në kauza të motivuara politikisht, përfshirë kundër institucioneve të Republikës, konsideroj që është i nevojshëm një sqarim i shkurtër dhe i prerë”, ka shkruar Caka.

Ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese e ka bërë të qartë se nuk ka diskutuar me asnjë person apo parti politike për poste publike e politike, dhe nuk ka interesim për një gjë të tillë.

“Nuk kam diskutuar me asnjë person e as parti politike rreth asnjë funksioni publik e politik, si dhe nuk kam asnjë interesim për diskutime të tilla. Do të mbetem gjithnjë krenare që i kam shërbyer një institucioni me kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e rendit kushtetues dhe vlerave të demokracisë në Republikën e Kosovës. Ndërsa, ashtu siç jam deklaruar gjithnjë, brenda fushëveprimit të profesionit tim, do të vazhdoj të punoj me përkushtim për forcimin e shtetit të së drejtës në Republikën e Kosovës, duke e mbrojtur edhe integritetin e funksionit që kam ushtruar në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ajo.

Lexo edhe:  Mblidhen huliganët serbë, nisin fyerjet ndaj shqiptarëve

Në fund, Caka ka paralajmëruar:

“Të gjitha çështjet tjera, do t’i adresoj përmes mekanizmave ligjorë”.