Ishte nën ndikim të alkoolit, burri nga Vushtrria i drejtohet me sëpatë djalit të tij, gruaja e thirrë policinë
Çdo ditë në Policinë e Kosovës raportohen raste të dhunës në familje, ku kryesisht viktima janë gratë që pësojnë nga bashkëshortët e tyre. Një rast i tillë ka ndodhur para dy ditësh në rrugën “Avni Rrustemi” në Vushtrri, me ç’rast një person ka përfunduar në paraburgim.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur të premten, kur një grua bashkë me të birin e kanë denoncuar në Polici burrin/babain, për dhunën që ka ushtruar ndaj tyre.
I dyshuari F.K., sipas informacioneve të para dyshohet se e ka kërcënuar me sëpatë djalin të tij, duke shkaktuar kështu frikë e shqetësim në familje.
Përballë kësaj situate, ata janë detyruar të njoftojnë Policinë, me ç’rast një njësi policore ka arritur që ta arrestojë të dyshuarin, i cili ka qenë nën ndikimin e alkoolit, kur dyshohet se ka kryer veprën.
Pas shoqërimit në Polici dhe përfundimit të procedurave policore, me urdhër të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’ dhe ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ndërkohë brenda afatit ligjor Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarit. Kjo kërkesë është aprovuar nga Gjykata, e cila ia ka caktuar të dyshuarit një muaj paraburgim.