Ishin bllokuar pas sulmeve iraniane, 5 shqiptarë largohen të sigurt nga Izraeli

Ministri i Jashtëm shqiptar, Igli Hasani përmes një postimi në rrjetet sociale ka njoftuar se disa shtetas shqiptarë, të cilët kishin mbetur të bllokuar në Izrael, janë larguar prej aty në mënyrë të sigurt.

“Pesë qytetarë shqiptarë, që ndodheshin në Izrael për arsye turistike dhe profesionale, janë larguar sot nga Izraeli në mënyrë të sigurt përmes Egjiptit. Ata ndodhen tashmë në Egjipt, në gjendje të mirë shëndetësore, dhe pritet të kthehen së shpejti në Shqipëri”, informon shefi i Diplomacisë shqiptare.

Më tej Hasani sqaron se largimi dhe kthimi i tyre u mundësua nga ministria që ai drejton, nëpërmjet ambasadave në Tel Aviv dhe Kajro.

“Falënderojmë autoritetet izraelite, Ambasadën Greke dhe Ambasadën Bullgare në Tel Aviv, autoritetet egjiptiane, si dhe Konsullin e Përgjithshëm të Shqipërisë në Liban për mbështetjen dhe bashkëpunimin e dhënë”, shton më tej ministri i Jashtëm.

Lexo edhe:  “Punësime familjare e tenderat milionësh” – Ramiz Lladrovci akuzohet për keqpërdorim të detyrës