Ish-ushtari i UÇK-së: Po më mohohet kontributi për lirin e vendit!

Xhafer Shukolli, thotë se për më shumë se një vit ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në dy brigada në Zonën e Pashtrikut. Për betejat dhe luftën në Qafë Duhël dhe kontributin në zona tjera, ai kishte aplikuar për statusin e veteranit por ishte refuzuar. Ai thotë se ndjehet i fyer e i lënduar për faktin se po i mohohet kontributi që dha për lirinë e vendit.

“Mo nuk kishim dert sa tanke vijnë sa na sulmojnë kah na sulmojnë, mos se kishim atë dert.. na ishim betu për me vdek për këtë vend”.

Ky moment për Xhafer Shukollin nga Suhareka nuk ishte kurrë më afër sesa korrikun e 98-së.

“Granatat kanë qenë shumë të fuqishme ata këputshin lisa e leje mo njeriun. Edhe jam shtri në bunker kam ra. Goditjet aq të forta janë kanë saqë jam mbulu me dhe prej goditjeve të mëdhaja të artilerisë. Shokët më thirrshin hajde ktu në bunker, po unë nuk mujsha me dal”, rrëfn ish-luftëtar i UÇK-së” ka theksuar Shukolli.

Dita e betejës për të cilën po flet ish-ushtari i Brigadës 60, dhe Brigadës 121, Zona e Pashtrikut është data 26 korrik 1998. Pamjet e Associated Press tregojnë brutalitetin e sulmit atë ditë në Qafë Duhël. Xhafer Shukolli rrëfen se para se t’i bashkohet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kishte vuajtur shumë aktivitetin për liri.

“Unë isha shumë i dëmshëm edhe për familjen time edhe vendosa të ndahem prej familjes së gjerë të jetoj me një shtëpi të vjetër me fëmijët e mi me gruan time dhe fëmijët… Prej atëherë më nuk jam bashku me familjen më, 1997 jam nda.” ….”Unë kur kam ardhë këtu në ditën parë të lehonisë e kam lanë gruan time katër fëmijë në shpi”, rrëfen i emocionuar Shukolli”, ka shtuar ai.

Lexo edhe:  Profili kriminal i të dyshuarit që shtyu 27-vjeçaren drejt vetëvrasjes, ajo i lutej që t’i fshinte fotot

Përkundër historisë të cilën e rrëfen, Shukolli sot nuk e gëzon statusin veteran i UÇK-së. Kjo përkundër se në aplikim i ka edhe deklaratat por edhe nënshkrimet e komandantëve në Brigada.

“Asnjëlloj arsye nuk më kanë dhënë Zyra e Qeverisë pastaj thoshin se Komisioni Qeveritar është nën hetime dhe nuk mundem me bo diçka dhe Prokuroria i ka marrë të gjitha lëndët”, ky është arsyetimi që ai ka marrë për refuzimin”, ka potencuar.

Të njëjtën gjë e thotë edhe personi nënshkrimin e të cilit e mbanë ky dokument për refuzimin e aplikimit. Gazmend Syla për RTV Dukagjini ka deklaruar se si Zyrë nuk kanë pasur asnjë informacion apo kompetencë për përcaktimin e statusit.

“Ne kemi lëshuar dokumente të nevojshme për palët, vetëm në bazë të listave që i kemi gjetur në zyrë e që janë përpiluar nga Komisioni Verifikues. Andaj, ne nuk kemi pasur asnjë informacion, se pse dikujt i është pranuar apo refuzuar statusi dhe as nuk ka qenë punë e jona të paragjykojmë. Roli ynë ka qenë edhe si sekretari e Komisionit, dhe vetëm aq.”, është përgjigjur në një përgjigje m shkrim ish-drejtori i Zyrës, Gazmend Syla. Syla thotë se në këtë kohë as Komisioni nuk ka qenë funksional, ndërsa dokumentacionin arkivor, në tërësi ia kanë dorëzuar Prokurorisë Speciale me 5 tetor 2017″, ka thënë Syla.

Shukolli i është drejtuar edhe Gjykatës Themelore në Prishtinë. Avokati Lutfi Tahiri për RTV Dukagjini ka thënë se për këtë rast ende nuk ka ndonjë përgjigje.