Ish-punëtori i furrës në Rahovec kërcënon ish-kolegen përmes Snapchatit
Një rast jo fort i zakontë ka ndodhur mbrëmë në Rahovec, ku bashkëshortja e pronarit të furrës së bukës ‘Princ’ ka pranuar disa mesazhe kërcënuese në llogarinë e saj në rrjetin social Snapchat. Por këto mesazhe nuk ishin të dedikuara për të.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një ish-punëtor i furrës ka dërguar mesazhe me përmbajtje kërcënuese për një ish-kolegen e tij. E këto mesazhe i dërgoi te bashkëshortja e ish-shefit të tij, duke i kërkuar që “t’ia çojë amanetin në vend”.
Bazuar në dëshminë e pronarit të furrës, bashkëshortja e tij ka pranuar edhe disa fotografi ku i dyshuari ka ekspozuar municion.
Njësitë policore kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, teksa me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Kanosje’.