Ish-drejtori model i spitalit të Prizrenit tërhiqet nga gara për këtë pozitë
Doktori i njohur, Afrim Avdaj, ka njoftuar se nuk do të garojë më për pozitën e drejtorit të
Spitalit Rajonal të Prizrenit.
Arsyeja e tërheqjes së tij nga gara, sipas Avdajt, ka të bëjë me “pazaret” në konkursin për këtë pozitë.
Avdaj njihet si drejtori që menaxhoi me profesionalizëm të lartë spitalin e Prizrenit, gjatë kohës së pandemisë, shkruan IndeksOnline.
“Shëndetësia humbet kur pazaret fitojnë mbi profesionalizmin”, u shpreh kirurgu i njohut.
Ky është postimi i plotë i tij:
NJOFTIM
Të nderuar kolegë, punonjës të Spitalit Rajonal të Prizrenit dhe qytetarë të Prizrenit,
Përkundër inkurajimit tuaj që të jem konkurrent dhe të rikthej Spitalin e Prizrenit në nivelin ku ishte – një spital që gjatë pandemisë u menaxhua si model në rajon dhe Evropë, bazuar në vlerësimin e ekipit të Institutit Robert Koch të Gjermanisë, si dhe të institucioneve vendore e ndërkombëtare, përfshirë ekipin e ekspertëve nga Lombardia e Italisë – ju falënderoj sinqerisht për inkurajimin dhe mbështetjen tuaj.
Gjatë kësaj periudhe, puna jonë u nderua edhe me titullin “Qytetar Nderi” nga Bashkia e Kukësit, si shenjë mirënjohjeje dhe respekti për kontributin e spitalit tonë.
Gjatë drejtimit tim, Spitali Rajonal i Prizrenit u vlerësua si institucion model në raportin e Auditorit të Përgjithshëm për performancë, duke përmbushur kriteret për akreditim ndërkombëtar dhe duke u konsideruar për t’u shndërruar në Qendrën e dytë Klinike Universitare në Kosovë.
Ky vlerësim u mbështet edhe në indikatorët e cilësisë, shërbimet e reja dhe projektet e inicuara gjatë kohës sonë, si:
• Shërbimi i Kardiologjisë Invazive,
• Spitali për Nëna dhe Fëmijë,
• si dhe shumë projekte të tjera në shërbim të pacientëve dhe qytetarëve tanë.
Megjithatë, me keqardhje ju njoftoj se tërhiqem dhe nuk do të jem pjesë e konkurrimit për Drejtor të Spitalit Rajonal të Prizrenit.
Unë mbetem gjithmonë i gatshëm të jem pranë qytetarëve të Prizrenit dhe stafit tonë, në çdo sfidë që e pret shëndetësinë tonë publike.
“Shëndetësia humbet kur pazaret fitojnë mbi profesionalizmin…”
Me respekt,
Prof. Asoc. Dr. Afrim Avdaj, dr.sci
Kirurg – Endoskopist