Ish-deputeti i VV-së: Do e rrëzoja Kurtin sepse nuk është përgatitur për veriun

Deputeti i Pavarur i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Fatmir Humolli, i cili muaj më parë ka dhënë dorëheqje nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka folur mbi propozimin e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, që të ketë një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti.

Në një intervistë për tëvë1, Humolli ka deklaruar se nuk do votonte pro rrëzimit të kryeministrit, Albin Kurti, për shkak të veriut, por do të votonte për rrëzimin e tij që nuk është përgatitur për veriun.

Sipas tij, kryeministri Kurti ka dështuar të krijojë një unitet kombëtar.

“Për problemin e veriut nuk mundem me votu Albin për me rrëzu. Albin Kurtin e votojë për me rrezu për shkak që nuk është përgatit për problemin e veriut. Albin Kurti ka dështuar për me kriju unitet kombëtar. Sot është përballë një bashkësie ndërkombëtare që është unike me Serbinë, kurse kombi jonë nuk është unik. Ka mosmarrëveshje me shtetin shqiptar për shkak të mos sqarimeve, sepse i beson më shumë një faktori të jashtëm”, ka thënë ai.

Humolli është shprehur se ka qenë befasuese fitorja e LVV-së me 51 për qind.

“Amerika ka diplomaci e informacione të fuqishme. Unë jam shumë i bindur që politika amerikane nuk ka qenë e befasuar me veprimet e Qeverisë, sa i përket zhvillimeve në veri. Amerika e njeh shumë mirë Kosovën, i njeh të gjithë faktorët. Befasi ka qenë prej kur ka fituar Vetëvendosje 51 për qind dhe ka filluar me politikë të njëjtë sikurse partitë tjera politike, që nuk i kanë zgjedhur problemet e Kosovës për 20 vite. Vetëvendosje i ka përdorur mjetet e njëjta. Pas fitores së VV-së, Serbia është mobilizuar te faktorët ndërkombëtar”, deklaroi Humolli.

Lexo edhe:  Rashica e feston titullin e kampionit me flamurin e Kosovës

Sipas tij, Bashkësia Ndërkombëtare i ka dhënë më së shumti hapësirë faktorit serb në Kosovë.

“Bashkësia Ndërkombëtare nuk është korrekte në zgjedhjen e problemeve në Ballkan”, theksoi ai tutje.

Ai ka thënë se Qeveria Kurti është mirë të dorëhiqet e jo të rrëzohet.

Mocioni i mosbesimit i propozuar nga Haradinaj nuk ka gjetur përkrahje as nga dy partitë opozitare PDK e LDK.