Intervistë tronditëse, gjinekologu i quan plaka gratë 30-vjeçare: Duhet të lindin 3 fëmijë

Një intervistë e çuditshme ka ngjarë në një emision në Shqipëri. Në televizionin “Vizion Plus”, mjeku gjinekolog Shkëlqim Balili ka folur rreth shtatëzanisë dhe ndërlidhjes së saj me trupin e gruas.

Në një mënyrë krejt bizare, z. Balili e krahason gruan që lind me një saksi. Pra në një mënyrë të papranueshme, ai e objektifikon trupin e gruas, duke e reduktuar atë në vetëm biologjikën e saj, atë të lindjes.

Tutje, gjinekologu ka theksuar se gratë që nuk lindin, në botëkuptimin e tij thellësisht patriarkal, thahen. Madje ai e bën një pretendim pak të çuditshëm, duke thënë se gratë që nuk lindin kanë një trend më të madh për t’u sëmuar nga kanceri i gjirit se gratë që lindin.

“Patjetër, çdokush që norma që duhet të bëjë është tre fëmijë. Me dy gruaja duhet të lindë. Lindja e lulëzon gruan. Është si puna e saksisë që lind trandafili. Dhe një grua që nuk lind, një grua që bënë vetëm një fëmijë, thahet si kumbulla ashavkë. Gratë që nuk kanë lindur fare, kanë një trend për t’u sëmuar nga kanceri i gjirit, më tepër se tjerat.” – tha ai në Vizion Plus.

Përtej kësaj, z. Balili ka rrëshqitur edhe në terma politikisht jo korrekte, e madje edhe jo shkencore. Ai ka pretenduar se gratë që lindin në moshën 30-vjeçare “vijnë për të lindur si plaka”.

Sipas tij, gruaja duhet të lind ndërmjet moshës nga 19 vjeçe deri në 28 vjeçe.

“Ne na mungon informacioni. Ne duhet që në të gjitha spitalet dhe qenrat shëndetësore të ketë formator, njerëz të trajnuar për problemet shëndetësore. Ata janë njerëz të rinj, të cilët janë trajnuar shumë mirë për shtatëzaninë dhe aktivitetin seksual. Mjekët gjinekolog duhet të flasin nëpër shkolla. Ne nuk duhet të bëjmë aborte, janë të dëmshme. Mosha për të linduar është deri në 30 vjeç. Mua më janë dukur vajzat 30 vjeç që vijnë për të lindur si plaka. Femra 19 vjeç ka mbaruar adoleshencën, është pjekur dhe deri në 28 është lidnja normale. Organizmi është i perdispozuar për të dhënë vitalitet. Duhet të bëjnë deri në tre fëmijë”, tha mjeku.

Lexo edhe:  Vetëm një mendje e mprehtë mund ta dallojë: Kush drejton makinën me rrezik këtu?