Inspektori Baki Hajrizi mbyll ordinancën stomatologjike në Veri të Mitrovicës, nuk plotësonte kushtet sanitare dhe po punonte në një bodrum

Një ordinancë stomatologjike në Veri të Mitrovicës është mbyllur sot nga Inspektorati Sanitar, pasi është konstatuar se objekti nuk plotësonte kushtet minimale higjieno-sanitare dhe po operonte në një bodrum pa dritare, ventilim adekuat apo qasje për pacientë, shkruan “Jepi zë”.

Inspektori sanitar Baki Hajrizi, i cili është angazhuar intensivisht në kontrollimin e subjekteve shëndetësore në atë zonë, ka ndërmarrë masën e mbylljes së menjëhershme të ordinancës, duke theksuar se siguria e pacientëve është parësore.

“Në këtë ordinancë janë evidentuar shkelje të rënda, si mungesa e kushteve bazë për sterilizim, mungesa e ajrosjes dhe mjediseve ndihmëse për personelin. Po ashtu, veprimtaria zhvillohej në mënyrë ilegale, pa dokumentacionin e duhur dhe pa leje nga institucionet kompetente”, ka deklaruar Hajrizi.

Ai ka paralajmëruar se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të garantimit të shërbimeve shëndetësore të sigurta dhe legale për të gjithë qytetarët, pavarësisht lokacionit.

Mbyllja e kësaj ordinance është rasti i radhës në kuadër të aksionit të shtuar të institucioneve për të vendosur rend dhe ligjshmëri në pjesën veriore të vendit.

Lexo edhe:  Ekipi i Forenzikës tërheq trupin e viktimës në Ferizaj