Inspektorati i Tregut në aksion, mbyllen 30 qendra masazhi dhe lokale me muzikë nate

30 qendra masazhi dhe lokale me muzikë nate janë mbyllur në një aksion të gjerë inspektimi nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut në bashkëpunim më Policinë e Kosovës, inspektorët nga Administrata Tatimore e Kosovës, si dhe me inspektorët nga Inspektorati Qendror i Punës,

Aksioni ka përfshirë inspektimin e 114 subjekteve ekonomike, përkatësisht 67 operatorëve ekonomikë që ushtrojnë veprimtari tregtare – aktivitete të mirëmbajtjes trupore (qendra
masazhi), 47 operatorë ekonomik që ushtrojnë veprimtari tregtare dhe aktivitete tjera të argëtimit e rekreacionit (muzikë nate).

“Inspektorët e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut konform kompetencave të tyre ligjore, kanë bërë mbyllje të përkohshme të 30 operatorëve ekonomikë në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Kjo mbyllje është për shkak të mos regjistrimit të bizneseve, si dhe mungesës së pëlqimit/aktvendimit për plotësimin e kushteve minimale teknike”, bëhet e ditur në njoftim.

Ndaj operatorëve ekonomikë që ushtronin veprimtarinë e tyre në kundërshtim me ligjin, janë shqiptuar 33 masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi.

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes ka paralajmëruar se inspektimet do të vazhdojnë edhe ditët në vijim.

Lexo edhe:  Nëse njihni këta dy të moshuar, lajmërojeni Policinë e Kosovës