Incident i rëndë në Podujevë: Dy grupe përfshihen në një përleshje fizike, një i mitur theret me thikë
Mosmarrëveshjet mes qytetarëve shpesh herë përcillen me ofendime e të shara kundrejt njëri-tjetrit. Në raste të caktuara, situata eskalon edhe në dhunë fizike mes tyre, madje edhe në përdorim të armëve, duke u dashur me doemos ndërhyrja e Policisë për të zgjidhur problemet.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në Podujevë, ku dy grupe janë përfshirë në një konflikt i cili eskaloi deri në sulm fizik, e madje edhe përdorim të armës së ftohtë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti ka ndodhur mbrëmjen e të premtes afër udhëkryqit të rrugëve Nuhi Gashi – 19 Qershori në Podujevë, ku pas një fjalosjeje verbale, gjashtë persona u përfshinë në një përplasje me mjete të forta.
Si pasojë e këtij incidenti, një person i moshës së mitur është therur me thikë në veshkë, ndërsa pesë persona tjerë (të moshës madhore) kanë mbetur të lënduar nga përleshja fizike.
Sinjali mëson se i mituri që ka mbetur i lënduar nga therja me thikë është A.M. (rreth 17-vjeçar), i cili është po ashtu i dyshuar në lidhje me rastin.
Ai po trajtohet në QKUK, ku ndodhet në kujdesin intenziv.
Ndërkaq, pesë të dyshuarit e moshës madhore janë shoqëruar në Polici dhe me vendim të Prokurores janë dërguar në mbajtje për 48-orë.
Hetimet në lidhje me zbardhjen e detajeve të këtij incidenti janë duke vazhduar, ndërkaq rasti është inicuar si “Vrasje në tentativë” dhe “Pjesëmarrje në rrahje”.
Sinjali do t’iu mbajë të informuar për vazhdimësinë e këtij rasti.