Identifikohen 7 të dyshuar për përleshjen në Shtime – 3 përfundojnë në ndalim, 2 në QKUK me lëndime të rënda

Një përleshje e dhunshme mes të rinjve në qytetin e Shtimes ka përfunduar me lëndime të rënda trupore për dy persona dhe ndalim për tre të tjerë, ndërsa rasti po hetohet si “Lëndim i rëndë trupor”.

Burime të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se rasti ka ndodhur më 20 qershor 2025, në rrugën “Skënder Salihu”, ku pas një konflikti verbal ka shpërthyer një përleshje me mjete të ftohta ndërmjet disa personave të njohur mes vete.

Nga përleshja, Jeton Muhadini, 38 vjeçar dhe Hajriz Brahimi, 20 vjeçar kanë pësuar lëndime të rënda trupore dhe janë dërguar për trajtim emergjent në QKUK – Prishtinë. Të njëjtit nuk janë marrë ende në pyetje për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

Hetimet kanë çuar në identifikimin e shtatë personave të përfshirë në rast: Altin Muhadini, 19 vjeçar, Shkëlzen Rexhaj, 19 vjeçar, Erdonit Saphiu, 19 vjeçar, A. M., 17 vjeçar, L. M., 17 vjeçar, Jeton Muhadini, 38 vjeçar, Hajriz Brahimi, 20 vjeçar.

Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, tre nga të dyshuarit – Altin Muhadini, Shkëlzen Rexhaj dhe Erdonit Saphiu – janë ndaluar për 48 orë, ndërsa dy të miturit, A.M dhe L.M, janë lëshuar në procedurë të rregullt.

Hetimet janë duke u zhvilluar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Ferizaj, ndërsa motivi i konfliktit thuhet të jetë një përplasje e mëhershme mes palëve, që ishte zbutur me ndërmjetësim, por që u riaktivizu me dhunë.

Lexo edhe:  Plas sherri në një familje: 44-vjeçarja e rrah kunatin pasi u kapën për çezmën në oborr