Ia larguan foton e Adem Jasharit dhe flamurin nga zyra, ish-ushtari lë Policinë e Kosovës pas 25 viteve

Pas 25 vitesh shërbim në Policinë e Kosovës, Zymer Kodra ish ushtari e ka lënë këtë institucion.

“Shërbeva me nder me respekt duke i përfill të gjitha që ata i kërkonin për këtë vend derisa një ditë ma kishin larguar fotografinë e Adem Jasharit, heroin e këtij vendi dhe flamurin kombëtar, aty reagova, reagova ashpër, e reagoi edhe sot nëse dikush me prek në idealin tim”, tha ai ndër tjerash.

Postimi i plotë:

Të dashur familjarë, miq, kolegë dhe bashkëluftëtarë,

Pas 25 vitesh shërbimi me nder dhe përkushtim në Policinë e Kosovës, kam marrë një vendim të vështirë, por të menduar gjatë: të tërhiqem nga detyra.

Gjatë këtyre viteve, pata privilegjin të shërbej në një institucion që e konsiderova jo vetëm një profesion, por një mision për sigurinë dhe të mirën e qytetarëve tanë.

Megjithatë, koha sjell sfida dhe momente reflektimi.
Përkushtimi im ndaj vlerave kombëtare dhe historisë sonë mbetet i palëkundur, ashtu siç ishte kur iu bashkova radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Besoj se disa simbole nuk janë thjesht dekorime, por përfaqësojnë sakrificat mbi të cilat u ndërtua kjo liri që e gëzojmë sot.

Falënderoj nga zemra të gjithë kolegët me të cilët pata nderin të bashkëpunoj për më shumë se dy dekada. Secili prej tyre ka dhënë kontributin e vet për një Kosovë më të sigurt dhe më të drejtë. Respekti im për Policinë e Kosovës mbetet i njëjtë dhe do ta vlerësoj gjithmonë si një institucion kyç për vendin tonë.

E mbi të gjitha, falënderoj të gjithë ata që më kanë përkrahur, më kanë shkruar dhe më kanë shprehur mirënjohjen e tyre.
Kjo më jep forcë dhe motivim për të vazhduar kontributin tim në forma të tjera. Sepse shërbimi ndaj atdheut nuk mbaron me një kapitull – ai vazhdon gjithmonë!

Lexo edhe:  Kurti – Policisë: Vazhdoni pa kompromis luftën ndaj bandave e krimit

Me respekt,
Zymer Kodra